Nje krahasim i shkurter mes Islamit dhe Krishterimit
Islami dhe krishterimi ndajnë shumë gjëra të përbashkëta. Që të dy religjionet gjurmojnë rrënjët e tyre nga Abrahami. Që të dy besojnë në profeci, dërguarit e Zotit (apostujt), zbulesën e Perëndisë, Shkrimet e shenjta, ringjalljen e të vdekurve, centralitetin e komunitetit religjioz. Përkundër këtyre ngjashmërive të rëndësishme, këto dy religjione botërore kanë edhe dallime mjaft të rëndësishme.
Do të ndalemi te këto dallime në katër pika kryesore:
1) Të kuptuarit e Perëndisë
Myslimanët dhe të krishterët besojnë në një Perëndi. Por mënyra si e perceptojnë Perëndinë këto dy religjione në teologjinë e tyre përkatëse dallon dukshëm. Theksi në teologjinë islamike për sa i takon Perëndisë mund të përmblidhet në këtë fjalë: TAHVID – unitet absolut. Myslimanët insistojnë që Perëndia është një dhe nuk ka persona të ndryshëm brenda hyjnisë së Perëndisë. Kjo është doktrina kryesore ku myslimanët polemizojnë me të krishterët dhe në bazë të kësaj ata i konsiderojnë të krishterët POLITEISTA – triteista, fajtorë për shirkun, që nënkupton t’i shoqërosh Perëndisë shok apo perëndi tjetër veç tij. Duke besuar në Trini myslimanët thonë që të krishterët besojnë në tre perëndi. Ky qëndrim shprehet në Kuran qartë: S. 4:171 “...Besojeni pra All-llahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. All-llahu është vetëm një All-llah...” Por të gjithë ata që e njohin teologjinë krishtere e dinë që doktrina e trinitetit ishte artikuluar pikërisht për të kundërshtuar idenë e të besuarit në tre perëndi. Të kuptuarit e trinitetit ka qenë jo adekuate në mesin e të krishterëve me të cilët myslimanët ishin në kontakt. Myslimanët e hershëm në këtë mënyrë arritën të kuptojnë doktrinën e trinitetit në mënyrë shumë të shtrembëruar duke besuar që të krishterët besonin adhuronin Marinë si pjesë e trinitetit. Ky keqkuptim vërehet qartë ne Kuran: S. 5:116 “O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: “Më besoni mua dhe nënën time dy zota pos All-llahut...” Pra duket që në periudhën e Kuranit triniteti ishte kuptuar të ishte Ati, biri Jezusi dhe Marië nëna e Jezusit.
Pavarësisht nga ky koncept i gabuar që ekzistonte, edhe trinia e vërtetë Atë, Bir dhe Frymë e shenjtë nuk është e lehtë për t’u kuptuar, në fakt është një e vërtetë e pashprehur mirë e pakapshme për mendjen njerëzore. SI rrjedhojë e kësaj, shumë herëzi në historinë e kishës janë ngritur sepse njerëzit janë përpjekur të largojnë doktrinën e trinitetit, duke sjellur doktrina të reja që ishin më të përballueshme për mendjen njerëzore. JO, DOKTRINA E TRINITETIT NUK MUND TË REDUKOHET NË KATEGORITË E ZBEHTA TË MENDJES NJERËZORE. Fakti që mendja njerëzore nuk është në gjendje ta kaploj plotësisht doktrinën e trinitetit nuk duhet jetë brengosëse për ne. Ne me përulje dhe nënshtrim i besojmë Perëndisë në mënyrën si na është zbuluar, dhe në fjalën e tij Perëndia është zbuluar si trini dhe fakti që nuk e kuptojmë plotësisht atë nuk do të thotë që kjo doktrinë nuk është e vërtetë. Sipas myslimanëve është blasfemi të besosh Perëndinë tre në një, kurse sipas të krishterëve ËSHTË BLASFEMI TË REDUKOSH PERËNDINË NË DIÇKA QË MUND TË KUPTOHET.
Ndoshta një mënyrë e mirë për t’ju mundësuar miqve myslimanë të kuptonë trininë është të theksojmë mësimin bazë fundamental krishterë që Perëndia është Dashuri. Si rrjedhojë, dashuria nuk mund të manifesohet asnjëherë në vetmi. DASHURIA MANIFESTOHET NË MARRËDHËNIE , dhe për këtë arsye, PERËNDIA QË ËSHTË DASHURI DUHET TË EKZISTOJË BRENDA KOMUNITETIT TË VETES SË TIJ, QË ËSHTË KOMUNITETI I TRE PERSONAVE , në mes të të cilëve dashuria është perfekte sa që, edhe pse tre, bëhen përsoshmërisht një. Kjo është e vërteta fundamentale që ndodhet brenda doktrins së trinitetit. Pra, përkundër kufizimeve të mendjes sonë, është pjesë e nënshtrimit krishter dhe përuljes ndaj Perëndisë përtej të kuptuarit tonë. Ne i nënshtrohemi Trinisë së shenjtë jo sepse e kuptojmë plotësisht këtë mister por thjesht sepse kështu Perëndia është zbuluar të jetë.
Është nga kjo perspektivë – Perëndia është dashuri - që ne duhet të përpiqemi të sqarojmë si Jezusi mund të jetë Bir i Perëndisë. Një deklaratë e tillë është blasfemuese për myslimanët, ata besojnë që Perëndia është larg nga të paturit bir. Përkundrazi, të krishterët e shohin birërinë e Perëndisë jo si blasfemi por si shjenjë të dashurisë hyjnore, e cila është aq e thellë (përtej te kuptuarit tonë njerëzor) që Perëndia nuk ishte vetëm i kënaqur për të na bekuar prej së jashtmi por e përuli veten deri në atë pikë për tu bërë pjesë e krijimit të tij nëpërmjet mishërimt të birit të tij Jezus Krishtit! Duke u bërë pjesë e rendit të krijesës, duke marrë formë të plotë njerëzore, Perëndia e shenjtëroi njerëzimin nga brendësia.
2) Kuptimi i Zbulesës
Krishterimi beson që Perëndia e zbuloi veten të na shpengoj, të na shpëtoj – të na çoj në plotësinë e jetës të lirë nga skllavëria e mëkatit në këtë botë si dhe në tjetrën që pason. Sipas islamit në anën tjetër, zbulesa nuk është me qëllim të shpengimit por për hir të “udhëzimit”. Që do të thotë, zbulesa e Perëndisë duhet të jetë udhëzim për jetesë në këtë botë.
Në krishterim, zbulesa është e ndërmjetësuar. Ne besojmë që Bibla është fjala e Perëndisë por nuk besojmë që Perëndia mekanikisht e ka transmetuar nëpërmjet njerëzve të caktuar sikur në një mënyrë të ishin kanale. Të krishterët besojnë që Bibla ishte shkruar nga njerëzit nën frymëzimin hyjnor, që është Frymëzimi i Frymës së Shenjtë. Zbulesa hyjnore ishte filtruar në këtë mënyrë nëpërmjet lenteve njerëzore dhe qe shkruar më fjalët njerëzore brenda historisë njerëzore. Kjo është arsyeja pse shkrimet tona i referohen rrethanave historike; nuk përshkruan ndonjë zbulesë mistike, johistorike të Perëndisë por më saktë paraqet një intervenim të mrekullueshëm të Perëndisë në historinë njerëzore.
Në Islam, në anën tjetër, Kurani konsiderohet si fjalë e “pandërmjetësueshme” e Perëndisë. me fjalë të tjera, Islami thekson fuqishëm që Muhamedi ishte analfabet gjatë pranimit të zbulesës dhe kjo e bën atë plotësisht pasiv. Ai thjesht recitonte atë që vendosej në gojën e tij, pa ndonjë shtesë nga ana e tij. (Kuran – nënkupton recitim). Kurani i cili shihet si përjetësisht ekzistues në qiell thjesht zbriti (një emer tjetër për Kuranin është “at-tanzil”) dhe ishte shprehur nëpërmjet Muhamedit si një instrument pasiv i zbulesës.
Duhet po ashtu theksuar që Islami është më tepër religjion i “fokusuar në libër” se krishterimi. Është gabim të supozohet ajo që për myslimanët është Kurani për të krishterët është Dhiata e Re. Nuk është aspak ashtu! Analogjia e duhur është kjo: ajo që Kurani është (konsiderohet) për myslimanët, Krishti është për të krishterët. Ne nuk jemi të orientuar me qendër në libër; ne jemi të orientuar me qendër në një Person – Krishtin. Myslimanët thonë që Kurani është Fjala e përjetshme e Perëndisë; kurse ne nuk themi që Dhiata e Re është Fjala e përhershme e Perëndisë. VETËM KRISHTI ËSHTË FJALA E PËRHERSHME E PERËNDISË. Andaj është mirë të jemi të ndjeshëm ndaj myslimanëve për të mos e ofenduar Kuranin sepse do të ishte njëjtë sikur të ofendohej Krishti për të krishterët. Myslimanët në këtë mënyrë në të konsideruarit e Kuranit si Fjala e përjetshme e Perëndisë ballafaqohen me të njëjtin problem me të cilin i kanë akuzuar të krishterët. Sipas tyre nëse Perëndia është një si ka mundësi Krishti të jetë Perëndi dhe të ekzistoj nga përjetësia. Por e njëjta pyetje i shtrohet edhe atyre, si ka mundësi përveç Perëndisë të ekzistojë diçka e përjetshme, në këtë rast Kurani, që bile nuk është person por një objekt!!! Ne themi që Krishti ka bashkë-ekzistuar me Perëndinë ata sepse Perëndia nuk ka mundur të ekzistojë pa Fjalën e tij. Në të njëjtën mënyrë edhe ata sqarohen që Kurani ka bashkekzistuar çdo here më Perëndinë si pjesë e Perëndisë.
Sipas Islamit, prandaj Perëndi ka folur nëpërmjet një libri; për Krishterimin, është e kundërta, Perëndia ka folur nëpërmjet një Personi. Në Islam, libri arab është mrekulli; për të krishterët personi i Krishtit është mrekullia e vërtetë.
Dy argumente të tjera që duhet sjellë në raport me fjalën e Perëndisë janë akuzat e myslimanëve rreth korruptimit të shkrimeve hebreje-krishtere (kjo doktrinën në teologjinë islamike është e njohur si “tahrif”) dhe akuza e fshehjes së argumenteve apo mashtrimit (në arabisht e njohur si “ikhfa”). Artikulimi i doktrinës së tahrifit ka filluar pikërisht me Kuranin. Fillimisht Kurani konfirmoi besueshmërinë e zbulesave të mëparshme të Tevratit dhe Inxhillit duke e konsideruar veten si konfirmues të atyre shkrimeve të mëparshme dhe duke u bërë thirrje në këtë mënyrë hebrenjve dhe të krishterëve ta pranojnë Islamin. S. 4:47 “O ju që u është dhënë libri, besojeni atë që e zbritëm (Kur’anin) e që është vërtetues i atij që e keni (Tevratit). S. 6:92 “Edhe ky (Kur’an) është libër që e zbritëm; është i bekuar, vërtetues i të mëparshmes.” Këto janë sure që janë zbritur në Mekë. Por kur hebrenjtë dhe të krishterët sollën argumente nga shkrimet e tyre kundër Muhamedit dhe ndjekësve të tyre, atëherë gjuha e Kuranit ndryshoi. Si ka mundësi të jetë vërtetues i shkrimeve të mëparshme nëse Dhiata e Vjetër dhe e Re e kontradiktojnë Kuranin? Një numër i madh i përgjigjeve arritën pastaj nga Muhamedi në suret e Medines. Judenjtë akuzohen të kenë ndryshuar shkrimet e tyre me qëllim pasi e kishin kuptuar të vërtetën nga Kurani (S. 2:75 “A shpresoni se do t’u besojnë ata juve (jehuditë), kur dihet se një grup prej tyre dëgjuan fjalët e All-llahut, edhe pse i kishin kuptuar, e duke qenë të vetëdijshëm (ç’bënin) i ndryshuan ato); i akuzuan se kishin ndryshuar shkrimet përqëllime përfitimi, S. 2:79 “Eshtë shkatërrim për ata që me duart e veta e shkruajnë librin, e pastaj thonë: “Ky është prej All-llahut”! E për të arritur me të një fitim të paktë, pra është shkatërrim i madh për ta çka shkruan duart e tyre dhe është shkatërrim i madh për ta ajo çka fitojnë”; S. 2:59 “E ata që ishin mizorë atë që u ishte thënë e ndryshuan me një fjalë tjetër”; të tjerët e ndryshuan tekstin duke ua ndryshuar vendin fjalëve S.4:46 “Një palë nga jehuditë është që ndryshojnë fjalët (e Zotit) nga vendet e veta” e të tjerët thuhet që kanë pështjelluar gjuhët e tyre për t’ua ndryshuar kuptimin S. 3;78 “një grup prej tyre janë ata që pështjellojnë gjuhët e tyre kur lexojnë librin (për ta deformuar kuptimin) ashtu që ju të mendoni se ajo (shprehje) është nga libri, po ajo nuk është nga libri (i vërtetë), madje thonë: “Kjo është nga All-llahu”! Po ajo nuk është nga All-llahu”. Akuza e fshehjes së të vërtetës drejtohet nga ithtarët e librit S.2:146 “Atyre që ua kemi dhënë librin, ata e njohin ate (Muhammedin) siç i njohin bijtë e vet, e një grup pre tyre edhe pse e dinë këtë, janë duke e fshehur të vërtetën”. Për ta që i kanë fshehur argumentet e vërteta pason zjarri S.2:174 “Ata që fshehin nga libri atë që shpalli All-llahu dhe për të fitojnë shumë të paktë, ata në barqet e tyre fusin vetëm zjarr. Atyre All-llahu nuk do t’u flasë në ditën e gjykimit dhe as nuk i shfajëson ata, por për ta pason dënimi i rëndë e i padurueshëm”.
Të gjitha këto përgjigje ishin mënyra kreative për t’i shpjeguar diskrepancat në mes të shkrimeve të mëparshme hebrejo-krishtere dhe Kuranit, por nuk ka absolutisht bazë në traditën e dorëshkrimeve. Në fakt dëshmitë nga dorëshkrimet dëshmojnë qartë që doktrina e tahrifit nuk ka aspak evidencë dhe sipas këtyre dëshmive qartë dëshmohet që shkrimet e Dhiatës së Re dhe të Vjetër ishin transmetuar me saktësi!
3) Të kuptuarit e mëkatit dhe shpëtimit
Mëkati dhe shpëtimi janë kategori qendrore në teologjinë krishtere. Krishterimi mëson që efektet e mëkatit të parë (mëkati origjinal) ka prekur botën dhe qeniet njerëzore që jetojnë në te. Në Islam në anën tjetër, nuk ekziston një gjë e tillë si mëkati i parë apo origjinal. Kurani në fakt e pranon që Adami dhe Eva kishin mëkatuar por sipas besimit islamik, ata u penduan dhe qenë plotësisht të falur dhe mëkati i tyre nuk kishte pasoja tek pjesa tjetër e racës njerëzore. Sipas mendimit të krishterë kjo është një pikëpamje e ngushtë porsa i përket kuptimit të mëkatit të parë dhe pasojave të saj.
Për myslimanët bartja e mëkatit prej Adamit dhe Evës tek pjesa tjetër e njerëzimit duket që nuk është gjë e drejtë andaj edhe Islami e mohon doktrinën e trashëgimit të mëkatit. Përse ne duhet ta pranojmë fajin për shkak të mosbindjes së dikujt tjetër theksojnë ata!!! Edhe tek të krishterët kanë ekzistuar pikëpamje të ndryshme sa i përket kësaj çështjeje, jo që e kanë mohuar këtë por dallimet kanë qenë të tipit të pasojave që mëkati le prapa apo në mënyrën se si ndikon tek njeriu sot mëkati i parë. Gjithsesi mënyra më e pranuar sot nga të krishterët është kjo: Asnjë mëkat që është bërë nuk është pa ndonjë efekt. Çdo mëkat që ju dhe unë e bëjmë – çdo mëkat që është bërë ndonjëherë – përçan (prek) tërë kozmosin. Mëkati yt nuk ka vetëm efekt tek ti por edhe tek të tjerët dhe në çdo gjë tjetër. Çdo thithje që ti e merr nga cigaret ndot jo vetëm trupin tënd por edhe të tjerët përreth teje. Kështu kur Dhiata e Vjetër pohon që mëkatet e atit tënd do të prek edhe fëmijët e tu, kjo nuk është një kërcënim, por një realitet! Mëkati në të vërtete mund të përshkruhet me efektin e topit të borës që rrotullohet, sa më shumë që rrotullohet më i madh dhe më i rrezikshëm bëhet. Pra mëkati akumulohet nëpër tërë historinë njerëzore duke ndikuar tek të gjitha që janë lindur në këtë botë. Në një mënyrë të gjithë njerëzit duhet ballafaquar me fuqinë e madhe të mëkatit që është akumuluar që nga mëkati i prindërve tanë të parë Adamit dhe Evës deri në ditët e sotme.
Pikërisht për shkak se Islami ka reaguar kundër idesë së mëkatit të parë, nuk është treguar pranues edhe ndaj efekteve shkatërruese të mëkatit në tërë qeniet njerëzore dhe me këtë është treguar mospranues edhe ndaj nevojës së shpëtimit. Islami nuk mund të kuptoj si vdekja e Krishtit dhe ringjallja sjell shpëtimin e njeriut. “Shpëtim nga çfarë?” thonë ata. Është e paimagjinueshme për ta që një njeri (në këtë rast Krishti) do të jetë në gjendje të pagojë dënimin për mëkatet e personave të tjerë. Për më tepër, meqenëse myslimanët besojnë që profetët qenë të pamëkatshëm – doktrinë e njohur si “isma”, është blasfemi për ta të thuhet që Krishti vdiq një vdekje të turpshme të një mëkatari në kryq. Ata në këtë mënyrë e mohojnë vdekjen e Krishtit në kryq duke thënë që kjo nuk ka ndodhur por atyre u është dukur një gjë e tillë dhe ka qenë një person tjetër që Perëndia e ka lejuar të kryqëzohej në vend të Isait (mendohet në Juda Iskariotin). Nëpërmjet një tregimi të tillë, myslimanët e shohin veten si mbrojtës ndaj integritetit profetik të Jezusit, sepse një profet i vërtetë sipas Kuranit nuk mund të përjetoj keqtrajtimin si Jezusi e përjetoi. Myslimanët pranojnë që Jezusi u ngrit në qiell por nuk pranojnë që ai vdiq në kryq.
Sipas pikëpamjes islamike, ajo që duhet bësh është të jetosh një jetë të mirë, ta kënaqësh Perëndinë në çdo gjë që bën. Nënshtroju Perëndisë dhe ndiqi drejtimet e tij. Religjioni sipas një myslimani nuk nënkupton shpëtim nga mëkati; nënkupton të ndjekësh rrugën e drejtë apo sheriatin, e hartuar nga ligji Islamik. Ndërkohë që Krishterimi është besim që ka lidhje më shumë (bazohet) me “ortodoksinë” apo “besimin e duhur”, Islami është besim që bazohet më shumë në “ortopraksinë” apo “praktikumin e duhur”. Islami është religjion i ligjit dhe e sheh mohimin e ligjit nga ana e të krishterëve siç mësohet nga Pali në shkrimet e tij drejtuar Romakëve dhe Galatasve si mungesë serioze në mënyrën e jetesës së krishterë. Kjo në fakt nuk nënkupton që Islami nuk bazohet në doktrinën e drejtë apo që Krishterimi nuk bazohet tek praktikimi i duhur. Thjesht kjo nënkupton që theksi është i ndryshëm në këto dy religjione.
Por theksi tek dallimet është shumë i rëndësishëm. Nëse dikush e kupton fuqinë shkatërruese të mëkatit, shpëtimi nuk është më vetëm një opsion; është domosdoshmëri. Duke reaguar në këtë mënyrë me anemi ndaj kuptimit të mëkatit të parë, Islami e ka humbur të vërtetën qendrore të ekzistencës njerëzore: që pavarësisht sa shumë përpiqesh të bazohesh tek “praktikimi i duhur”, ai apo ajo do dështojnë nga arritja e qëllimit. Ne nuk mund të jetojmë një jetë të tillë që i pëlqen Perëndisë me fuqinë tonë.... Dhe kjo është arsyeja përse shpëtimi është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Këto janë disa prej kuptimeve divergjente të pikëpamjeve islamike dhe krishtere rreth mëkatit dhe shpëtimit.
4) Komuniteti religjioz
Kjo është një pikë që kumbon në zemrat e dy religjioneve bashkë Islamit dhe Krishterimit. Ajo që është Kisha për të krishterët, për myslimanët është “Umma”. Si ne ashtu edhe myslimanët konsiderojnë të jenë përgjegjës ndaj komunitetit të besimit. Nuk është e mjaftueshme të jetojmë në izolim; ne duhet t’i lidhim jetët tona me vëllezërit dhe motrat tona ne besim.
Megjithatë, edhe në këtë pikë ka dallime të dukshme. Në islam nuk ka shërbesë të urdhëruar apo “hierarki” në komunitetin islamik. Gjithashtu, në këtë komunitet theksi më shumë vendoset tek homogjeniteti – një mënyrë e përbashkët e jetesës e rregulluar nga sheriati apo ligji religjioz – se sa tek kisha e krishterë në përgjithësi. Të krishterët janë munduar të “mishërojnë” krishterimin aq sa munden në kulturën lokale. P.sh Bibla, himnet, këngët apo tekstet liturgjike janë përkthyer në gjuhën lokale dhe janë përshtatur me kulturën. Përkundrazi, në Islam duhet të mësohet gjuha arabe nëse do për të qenë mysliman i mirë. Kurani konsiderohet të jetë i papërkthyeshëm, që nënkupton se mesazhi i Kuranit për një mysliman ndodhet në Kuranin origjinal në gjuhën arabe. Po, një person mund të përpiqet të kuptoj kuptimin e Kuranit në gjuhë të ndryshme por kjo atëherë nuk është Kuran, është vetëm një interpretim i Kuranit. Andaj edhe në shumë përkthime të Kuranit në fakt nuk thuhet Kurani por kuptimi i Kuranit madhështor apo Hija e Kuranit siç ceket në përkthime të Kuranit në gjuhën të ndryshme. Për myslimanët, gjuha arabe është gjuhë e shenjtë, andaj një person mund ta kuptoj përsosshmërinë dhe paimitueshmërinë e Kuranit vetëm në gjuhën arabe.
Për më tepër, myslimanët dhe të krishterët kanë mënyra të ndryshme të adhurimit. Tek të krishterët, denominacione të ndryshme adhurojnë në mënyra të ndryshme sepse të gjitha i janë përgjigjur konteksteve sociale dhe kulturore. Në Islam, të gjithë adhurojnë në një mënyrë pa ndonjë variacion të rëndësishëm pavarësisht nga konteksti kulturor dhe social. Folur me paanësi, që të dy mënyrat kanë pikat pozitive të tyre këto mënyra të adhurimit, krishterimi në përshtatshmëri kurse islami në uniformitet.
Sa i përket adhurimit duhet theksuar që myslimanët kanë më shumë ngjashmëri me të krishterët e lindjes se ata të perëndimit (sidomos protestantët) për faktin që janë shumë të vëmendshëm jo vetëm ndaj aspektit të brendshëm të adhurimit por edhe ndaj aspekteve të jashtme. Myslimanët e përdorin tërë trupin e tyre gjatë adhurimit – lutjes. Për një protestant kjo mund të mos duket aspak e rëndësishme por për myslimanin nënshtrimi i shpirtit simbolizohet pikërisht tek këto gjeste dhe veprime që ata i bëjnë në një mënyrë të ritualizuar. Myslimanët në këtë drejtim e kanë më lehtë të kuptojnë mënyrën liturgjike të adhurimit tek krishterët e lindjes se sa mënyrën protestante të çrregullt dhe jo formale.
Përktheu dhe përgatiti: Ibrahimi
* Artikulli në gjuhën angleze: “A short comparison of Islam and Christianity”