Ungjilli i Barnabës
Një prej burimeve më të favorshme për mbrojtjen e mësimeve islame dhe mbështetjen e pikëpamjeve të tyre për Krishtin dhe Frymën e Shenjtë është i ashtuquajturi ungjilli i Barnabës, në fakt një ndër librat më të shitur në vendet arabe. Ungjilli i Barnabës, siç thonë myslimanët, është i vetmi ungjill që i ka shpëtuar ndryshimit, i shkruar nga një dishepull i Krishtit në shek.e parë. M. A. Yusseff, flet i bindur se asnjë ungjill nuk mund të krahasohet me vërtetësine e këtij ungjilli.
Arsyeja që është aq i popullarizuar mes myslimanëve është se ideja kryesore e këtij libri bie në përputhje me pohimet kryesore myslimane: mohimi i hyjnisë së Krishtit; mohimi i vdekjes së tij në kryq dhe thekson se Juda Iskarioti ishte zëvendësuar për Jezusin në kryq nga fuqia e All’llahut.
Për shkak të rëndësisë që ka si vegël apologjetike islame, ne duhet t’i shqyrtojmë pohimet dhe burimësinë e këtij libri.
Ajo që na intereson është se a është shkruar ky ungjill me të vërtetë nga një dishepull i Krishtit në shek. e parë dhe a ka evidencë për këtë?
- Forma më e hershme e njohur për ne, e ungjillit të Barnabës, është një dorëshkrim italian i shek. XVIII. Ky dorëshkrim është analizuar nga akademikë të ndryshëm dhe është vërtetuar se i takon shek. të XV apo XVI. Edhe mbrojtësit islamikë siç është Muhamed Ur Rrahim e pranojnë se nuk ekziston dorëshkrim i tij para vitit 1500.
- Referencat e para të këtij libri vijnë nga shek. V – Decretum Gelasinum (nga Papa Gelasius) 492-495. Por edhe kjo referencë është e dyshimtë, sepse nuk ekziston asnjë dorëshkrim origjinal gjuhësor apo përkthim për ekzistencën e tij, në krahasim me 5300 dorëshkrime greke të Dhiatës së Re që fillojnë nga shekulli i dytë dhe i tretë.
- Ky ungjill përdoret tepër kohëve të fundit nga myslimanët, por nuk ka të dhëna se është përdorur nga ndonjë autor mysliman prej shek. VII-XV, atëherë kur mes myslimanëve dhe krishterëve mbizotronte urrejtja më e madhe. Nga ana tjetër, po të ekzistonte para shek. XV do të përmendej nga kisha dhe etërit kishtarë si libër apokrifik ( i rrejshëm), por as për këtë nuk ka informacione.
- Libri përmban shumë anakronizma dhe përshkrime të periudhës mesjetare, që na zbulon se është shkruar në këtë etapë. P.sh vitit të Jubileut i referohet çdo 100 vite (Ungjilli i Barnabës 82) përkundër 50 si ishte praktikuar para kësaj kohe. Deklarimi i Papës Boniface për ta ndryshuar në çdo 100 vjet është bërë në vitin 1343. Si ka mundur autori i shek. të I-rë të dijë për këtë ndryshim, përpos se ka jetuar në atë kohë. Ungjilli përmban elemente nga Komedia Hyjnore e Dantes, e shkruar në shek. XIII. Përmendet vasali i cili i ka borxh një pjesë të të korrave zotëriut të tij si element i feudalizmit mesjetar, ka referenca të fuçive të verës të ndërtuara nga druri, në krahasim me fuçitë nga lëkura që ishin përdorur në Palestinë në atë kohë si dhe procedurat gjyqësore të mesjetës.
- Ungjilli përmban shumë gabime qoftë historike, gjeografike dhe ekzagjerime të tjera. P.sh. Jezusi ishte lindur kur Pilati ishte guvernator, ndërkohë që kjo ndodhi në vitin 27 pas lindjes së tij. Informacioni se Jeuzusi lundroi për në Nazaret nuk ekziston në asnjë ungjill. Jizebela ka mbytur 10.000 profetë nga 144.000 ( Kap. 18) është një prej ekzagjerimeve më të mëdha.
- Barnaba në këtë ungjill përmendet të jetë njëri prej 12 dishepujve të Krishtit, dhe armiku kryesor i Palit, që është një gabim tejet serioz. Dymbëdhjetë dishepujt e Krishtit ishin: Simon Pjetri dhe vëllai i tij Andreu, Jakobi, Gjoni, Filipi, Bartolomeu, Mateu e Tomai, Jakobi i Alfeut dhe Simoni ( i quajtur Zelota), Juda vëllai i Jakobit dhe Juda Iskarioti (tradhtari). Si ka mundësi që Barnaba të jetë armik i Palit, kur Barnaba dhe Pali kishin bërë udhëtime ungjillizuese së bashku, kishin bashkëpunuar në disa kisha si: Qipro, Antioki, Ikonë, Listra dhe Derbe. Në Listra pasi u shërua një paralitik populli e quajti Barnabën Jupiter, kurse Palin Merkur ( Vep.14: 8-12).
- Studimet tregojnë se ky libër përmban vargje nga Kurani dhe elemente islamike, që dëshmon se autori mysliman, ndoshta i konvertuar, e kishte përpunuar këtë libër. Megjithkëtë përmban kontradita të qarta edhe me vetë Kuranin i cili pohon se Jezusi ishte Mesia, Fjala e Perëndisë, kurse në Ungjillin e Barnabës thuhet; “ Unë nuk jam Mesia... Unë jam i dërguar si profet i shpëtimit, por pas meje do të vijë Mesia”. Askund në burimet islamike Muhamedi nuk përmendet si Mesia.
Nga të gjitha hulumtimet që janë bërë nga shkencëtarë të ndryshëm mund të përfundohet pa dyshim se Ungjilli i Barnabës është dokument fals nga fillimi gjer në fund. Edhe pse ky ungjill është shkruar më tepër si “ Ungjill Islamik” duke e prezantuar jetën e Krishtit më tepër si “ Isa i Kuranit “ sesa si Bir i Perëndisë nga Bibla, të krishterët edhe myslimanët duhet ta refuzojnë këtë “ungjill”, sepse bie në kundërthënie me Biblën dhe me Kuranin.
Bibla qartë thotë në Mat. 15:16 “ Po ju kush thoni se jam unë? Simon Pjetri duke u përgjegjur i tha “ Ti je Biri i Perëndisë së Gjallë”. Kurse Kurani deklaron në Suren Ali Imran 3:45 “Oj Merjeme, Allahu të përgëzon me fjalën e vet ( me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit ) emri i së cilit është Mesia, Isa, bir i Merjemës, i famshëm në dynja e ahiret dhe nga të afërmit e Zotit”.
Shkruan: Ibrahimi