Si arrita të njoh Jezus Krishtin?

                                                        Shkruan: Ibrahimi

Quhem Ibrahim dhe rrjedh nga një familje me traditë myslimane nga Kosova. Që nga fëmijëria interesi im për religjionin ishte i madh. Mahnitesha me idenë se kishte një Perëndi që kishte krijuar çdo gjë në qiell dhe tokë dhe përpiqesha të kuptoja se si ishte ky Perëndi. E mbaj mend gjyshen time si më mësonte t'i recitoja suret para gjumit, më merrte në dhomën e saj që të falesha me të dhe më thoshte që kur të kem frikë nga errësira përsëritja tri herë rresht Bismilahi do të largonte tërë frikën time. 

Familja ime e ngushtë përbëhej nga prindërit dhe vëllai. Vëllai im ishte afër 8 vjet më i madh se unë. Në kohën kur unë isha në shkollën fillore ende ai filloi studimet në Universitet. Ishte shumë i dedikuar ndaj mësimeve deri në kohën kur u helmua me anë të gazit lotsjellës në konvikt nga forcat okupatore që në atë kohë ishin në Kosovë. Që nga ai moment vëllai nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Vetëm një vit më pas ai u sëmurë shumë rëndë dhe mjekët nuk arritën as ta diagnostikonin sëmundjen e tij përveç dekleratës sekishte fituar një sëmundje të sistemit nervor që ia dobësonte muskujt vazhdimisht. Një vit më pas ai vdiq. Kjo tragjedi në familjen time ndryshoj tërë kahen e jetës sonë. Unë isha katërmbëdhjetë vjeç kur e humba vëllanë. Mami im kishte rënë në një depresion të thellë ndërkohë që babai përpiqej të gjente veten më thellë në fenë islame.

Për mua kjo ishte periudha e kërkimit të së vërtetës rreth Perëndisë duke u thelluar në besimin e fesë islame. Vazhdimisht shkoja në xhami, lutesha (në gjuhën arabe), lexoja Kuranin dhe gjithë literaturën islame dhe gjeja kënaqësi në atë që bëja. Sa herë që shkoja në xhami e falënderoja Perëndinë që isha i lindur mysliman sepse Islami ishte feja e vetme e pranuar nga Zoti dhe e vetmja mënyrë e shpëtimit. Një botëkuptim rreth Islamit ishte formuar në mendjen time: Kurani është shpallja e fundit që kishte zbritur nga Allahu; Zoti është një, nuk ishte i lindur dhe as nuk kishte lindur dikë, dhe askush nuk ishte i barabartë me të. Vendimet e tij janë sovrane dhe unë duhet të pajtohesha me çdo gjë që vinte në jetën time. Allahu mund të të pranonte në mënyrë të drejtpërdrejtë pa ndonjë ndërmjetësues. Zoti nuk kishte nevojë për djalë dhe ajo çfarë të krishterët besonin ishte mëkati më madh i njohur si “shirk” dhe ata do të jenë të pafalur në ditën e gjykimit duke e konsideruar një profet të Allahut (Isanë) Zot. Unë duhej të kisha kujdes ndaj çdo idhujtarie në jetën time sepse Zoti ishte i rreptë dhe mund të më pasonte edhe mua dënimi. Këto ishin botëkuptimet e mia deri në periudhën kur regjistrova fakultetin dhe lëviza në kryeqytetin e vendit tonë. Dhe ajo që vërehej më shumë gjatë kësaj periudhe ishte kureshtja për të mësuar sa më shumë nga feja islame, të lutesha dhe agjëroja por edhe në të njëjtën kohë në zemrën time filloi një urrejtje për të krishterët dhe hebrenjtë. Nuk e dija nga ishte burimi i kësaj urrejtjeje por sa më shumë besoja në islamizëm aq më tepër rritej urrejtja për të krishterët. Mbase kjo ishte edhe nga fakti se në xhamitë që shkoja unë vazhdimisht flitej kundër këtyre komuniteteve dhe mbaj mend njëherë në një ambient religjioz në shtëpinë e xhaxhait tim se si hoxha mësonte se “jahuditë” janë popull i mallkuar, asnjë gjë e mirë nuk vjen nga ta vetëm sherri dhe se Zoti në ditën e gjykimit do t’i dënonte ashpër. Megjithatë për veten time të krishterët ishin ata që meritonin më tepër dënimin sepse e kishin shndërruar një njeri të thjeshtë në Zot duke blasfemuar me njësinë e tij dhe nuk e kuptoja fare si kishin mundur të bënin një gjë të tillë. Ishte plotësisht e papranueshme, plotësisht e pakuptueshme, tejet neveritëse.

Në momentin kur isha në vitin e dytë të studimeve, vendosa të banoja me kushëririn tim që studiontr po ashtu. Kjo ishte periudha më e mirë e jetës sonë studentore ku ndanim shumë çka nga jetët tona dhe diskutonim për gjëra të ndryshme të jetës madje edhe në orët e mëngjesit ndonjëherë. Religjioni ishte njëra ndër pikat që diskutonim. Kushëriri im (tashmë shoku i dhomës) ishte person që vinte nga një prapavijë sekulare dhe nuk ishte i dhënë shumë pas fesë. Megjithëse lexonte literaturë të ndryshme fetare herë pas here ai besonte se Perëndia ekzistonte por që ne si njerëz “intelektual” tashmë duhej të shikonim para karrierën dhe përmbushjen e ambicieve njerëzore. Kushëriri im kishte një dajë që jetonte në Finlandë i cili kishte pranuar Krishtin shumë vite më parë. Ai kishte provuar të diskutonte me shokun tim të dhomës shumë herë por në një moment të caktuar shoku im i dhomës e kishte ndërprerë bisedën me të sepse ai kishte filluar të ishte shumë imponues në bindjet e tij. Në linjën gjakore ishte edhe kushëri i imi. Më interesonte të diskutoja me të sepse kisha dëgjuar që ai kishte devijuar plotësisht nga rruga e vërtetë.

Për kushëririn tonë në Finlandë ky ishte sinjali i gjelbër për të filluar diskutimin që e kishte ndërprerë me cimerin tim. Më kujtohet pyetja e parë që i bëra atij: çfarë të shtyu të ndërrosh fenë? Një orë telefonate nuk mjaftoi të përgjigjej prandaj vazhdoi duke telefonuar pothuajse çdo ditë, madje edhe nga disa orë. Më dërgoi Biblën e parë në gjuhën shqipe që nga Finlanda së bashku me ca fletushka të tjera që kishte gjetur në gjuhën shqipe. Së bashku me këtë literature kushëriri ynë i përbashkët na çoi edhe një pako me kaseta ku fliste për besimin në Jezusin dhe dallimet në mes fesë së krishtere dhe asaj islame. Kisha Biblën për here të parë në dorë dhe pas leximit të disa pasazheve e ndërpreva. Ishte ajo neveri që kisha për besimin e krishterë sa nuk më bënte të ndjehesha mirë aspak për të lexuar shkrimin e tyre. Ndonëse bisedat dhe diskutimet tona vazhdonin intensivisht. Ai ishte një person shumë entuziast dhe me zjarr për besimin e tij të ri në Jezusin. Ndërkohë që ai më fliste për Jezusin si rrugën e vetme të shpëtimit unë kundërpërgjigjesha me atë se Kurani është fjala e fundit dhe nuk mund të krahasohej me Biblën e cila ishte e ndryshuar nga dora e njeriut. Shkova në xhami një ditë kur në librarinë e tyre pash libra të autorit Ahmed Didat kryesisht që flisnin rreth gabimeve dhe kontradiktave në Bibël. Mendova kjo ishte mënyra ime për ta sulmuar dajën tani me pyetjet që do t’i merrja nga këto libra dhe jo se kisha lexuar Biblën sepse nuk e doja atë libër. Për habinë time ai kishte përgjigje në shumicën e atyre pyetjeve që i bëja. Për ato që s’arrinte të përgjigjej në telefon fliste në kaseta dhe dukej që detyra ime që kisha marrë për ta gjetur Biblën kontradiktore dhe në gabime nuk ishte gjë e lehtë.  

Kjo periudhë kështu vazhdoi rreth 6 muaj apo pak më shumë dhe ishte një kohë jo shumë e lehtë për t’u ballafaquar në mbrojtje të besimit tim islamik dhe ekspozimit të një bindjeje tjetër nga ana e krishterë, e cila çdo herë e më shumë dukej që kishte kuptim. Duke qenë se preokupohesha shumë për këtë çështje fillova të kisha edhe ëndrra. Pash nja dy herë se isha bërë i krishterë dhe kur zgjohesha më kaplonte frika se mos ndodhte me të vërtetë kjo gjë. I paramendoja të gjitha problemet që mund të kisha nga familja por mbi të gjitha mendoja që do të isha i humbur sepse feja e krishterë nuk mund të ishte e vërtetë me gjithë atë shirk që bëjnë. Me gjithë faktin se nuk doja ta lexoja Biblën, nga ajo pak që kisha lexuar sikurse edhe nga diskutimi me dajën disa vargje biblike më silleshin vazhdimisht në mendje: “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta, askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6); “Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson...ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq por ka kaluar nga vdekja në jetë (Gjoni 5:24); “Unë dhe Ati jemi një”(Gjoni 10:30); “Kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar” (Gjoni 12:45). Të gjitha këto vargje kishin të bënin me Jezusin dhe natyrën e tij hyjnore dhe shpesh ishin të rënda për mua. Në mendjen time zhvillohej një luftë frymore dhe aspak nuk kisha qetësi në shpirtin rreth asaj se cila ishte e vërteta tani, ku gjendej ajo në Bibël apo Kuran, a ishte Muhamedi i dërguari i fundit apo Jezusi Shpëtimtari i botës? Po sikur të ishte përpjekje e djallit për të më konvertuar në krishterim? Por çfarë nëse është e vërtetë kjo gjë rreth Jezusit që paska t'i falte mëkatet tona? Po sikur të më paraqitej Jezusi personalisht...? Kisha dëgjuar për dëshminë e Gulshan Esterit e cila kishte qenë e paralizuar dhe pas tre vitesh rresht lutjeje Jezusi i shfaqet në dhomën e saj duke e shëruar plotësisht. Jo, jo nuk do lëshohem në këto gjëra, unë e kam besimin tim dhe jam i kënaqur me këtë. Madje edhe në qoftë se më del Jezusi ballë për ballë do ta refuzoj atë. Por a thua do të mund t'i thoja atij që kjo është mashtrim nga djalli? Nuk e di, nuk e di...!

E ndërpreva komunikimin me dajën, i thashë që kemi diskutuar mjaft rreth islamit dhe krishterimit, "e kam kuptuar mendimin tënd por unë e kam besimin tim." I shmangesha sa herë që merrte në telefon. Ndonëse shoku im i dhomës vazhdonte të bisedonte me të dhe sikur që i ishte hapur apetiti për çështje religjioze. Bibla të cilin kishte filluar ta lexonte i bënte përshtypje çdo ditë e më shumë deri në momentin në njërën prej ditëve më tha: “Ibrahim mendoj që çdo intelektual duhet ta lexojë Biblën të paktën një herë në jetë. Është një libër që ia vlen të lexohet”. Po habitesha edhe vetë se çfarë po ndodhte me të tani, në fillim kur unë erdha të banoja me të nuk ishte shumë i interesuar për çështjet religjioze dhe kishte ndërprerë diskutimet me dajën tonë njëjtë siç kisha vepruar edhe unë tani. Ndërkohë që tani po e lexonte Biblën, vazhdonte të bisedonte me dajën dhe po më kërkonte mua që ta lexoja Biblën. I thashë që do ta lexoja një ditë ndonëse me mendjen time thosha që nuk do ta bëjë këtë gjë sepse nuk e kisha studiuar ende Kuranin aq thellësisht sa të bëja një zgjedhje rreth këtyre dy feve. Për më tepër Kurani është një libër që nuk kuptohet lehtë dhe për t'i kuptuar ca vargje njeriu duhej konsultuar me Tefsirin. Dhe unë këtë se kisha bërë megjithëse lexoja literaturë tjetër islame.

Kushëriri im i dhomës vazhdoi të lexonte Biblën dhe çdo ditë e më shumë prekej nga thellësitë e diturisë dhe mësimeve që gjendeshin aty. Nuk kaloi shumë kohë kur dëgjova të më thoshte që kishte marrë një vendim të rëndësishëm në jetën e tij që do të ndiqte Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tij. Bibla kishte një kuptim shumë të thellë për të dhe tashmë e kisha humbur shokun tim të dhomës, kushëririn dhe bashkëbiseduesin. Isha vënë në siklet të madh. Mendoja që nuk do të mund të vazhdoja të jetoja me të meqë ishte bërë i krishterë, dhe unë ende me frymën islamike e shihja si barrierë të mëtejshme. Ia morra inatin por që thjesht s’kisha çfarë të bëja sepse ai tashmë kishte bërë atë që duhej të bënte.

Duke konsideruar gjithë luftën frymore që po kaloja, kisha vendosur t’i lutesha vetë Zotit të më tregonte të vërtetën. “O Zot, unë e di që feja islame është e vërteta, por nëse rastësisht nuk është të lutem ma bëj të njohur.“ Kjo ishte lutja që kisha filluar ta bëja tashmë çdo natë duke i kërkuar Perëndisë në mënyrë të drejtpërdrejtë të më shfaqej. Nuk doja më të bisedoja në lidhje më këtë as me dajën por as me kushëririn tim që e kisha në dhomë. Doja të ishte diçka vetëm në mes meje dhe Zotit. Ndonëse nuk ishte periudhë e lehtë për tu kaluar. E gjithë kjo betejë mendimesh në mendjen time më rezultoi në një mendim të tillë një natë sa të kërceja nga kati i nëntë i banesës ku jetonim. Kërce dhe lirohu nga të gjitha këto dëgjohej në zë i ashpër në mendjen time. Nuk do të dorëzohem thosha me vete dhe nuk do bie pre e këtyre mendimeve të liga. Zoti vazhdonte të ishte dëshmitari i vetëm për mua i cili e dinte të vërtetën.

Disa ditë më pas kushëriri më solli një libër që quhej “Toka ime më e dashur”. Ai e kishte lexuar këtë libër dhe e kishte parë si diçka që do të mund të ndikonte në mua. Më la librin mbi tavolinën e punës. Ndërkohë që po lexoja diçka tjetër në atë moment, diçka më shtyri ta merrja këtë libër në dorë. Kushëriri tashmë kishte shkuar për të fjetur. Isha plotësisht vetëm në dhomë dhe hapa faqet e para të librit. Filloi të më dukej mjaft interesante dhe po vazhdoja ta lexoja. Autori ishte i shekullit të kaluar por i kishte thurur aq bukur ato vargje sa në çdo varg që lexoja diçka lehtësohej tek unë. Në mes të tjerash mendoja për këto rreshta që thoshin: “Zoti në ditën e gjykimit do të të bëjë pyetjen: Çka ke bërë me Birin tim? Por unë Zot kam bërë vepra të mira, kam bërë këtë, kam bërë atë …! - Nuk po të pyes për vepra të mira, por çfarë ke bërë me Birin tim? Këto ishin vargjet që më mahnitën më së shumti. Nuk ka të bëjë aspak me veprat tona mendoja por me atë se çfarë kemi bërë me Jezusin, e kemi pranuar atë në jetën tonë apo jo. Kjo ishte pyetja e jetës. E tëra që kam menduar deri tani se duke bërë vepra të mira mund të arrish tek Perëndia qenka bosh krahasuar me këtë pyetje. Ky ishte momenti i thyerjes së vetes sime, ishte momenti revolucionar i shpirtit tim. Nuk kaloi gjatë ndërsa po vazhdoja me leximin e librit duke reflektuar mbi këto që po lexoja kur diçka e mahnitshme më ndodhi. Fjalët nga libri ishin aq ndriçuese sa në çdo rresht të librit që lexoja dukej që po më fliste Perëndia. Përjetova një vegim. Një imazh i dy personave u paraqit në mendjen time. Ishte sikur të shihja dicka në murin e dhomës sime ndonëse po ndodhte vetëm në nivel të mendjes sime. Pash një person që ishte i ulur në gjunjë me fytyrë shumë të shëmtuar që po qante me të madhe. Fytyra e tij ishte e tëra me puçrra dhe shumë e vrazhdë. Flokët e tij ishin të gjata. Sipër tij pash një person tjetër me veshje të bardhë, fytyrën e së cilit nuk mund ta shihja. E kishte si në hije por i tërë trupi i vërehej dhe e kishte si në shkëlqim. Ky personi ishte në këmbë dhe po i shkulte flokët personit që ishte i gjunjëzuar dhe unë po e dëgjoja në mendjen time vajtimin dhe bërtitjet e tij. Më pas dëgjova një zë në mendje që më thoshte: “A po e sheh këtë që është i gjunjëzuar. Ky është një demon që të ka keqtrajtuar deri tani. Zoti është duke të çliruar tani dhe ti do të jesh i lirë.” Ishte Zoti në veprim, ishte Perëndia duke iu përgjigjur lutjes sime që i kisha kërkuar të më shfaqej. Ishte Perëndia që po më zbulonte të vërtetën rreth Jezus Krishtit. Vazhdova të dëgjoja këtë zë të butë edhe më tej: Jezus Krishti ka vdekur për mëkatet tua, ai është i vërteti. Ishte një moment plot me zbulesa nga Perëndia për të vërtetën e tij. Po i mendoja gjërat që i besoja më parë dhe që tani më dukeshin shumë larg zemrës sime. Mendoja për shumë vargje nga Kurani dhe hadithi. Më dukej sikur kisha kaluar nga një vend plot me errësirë në një vend me dritë nëpërmjet një vrime të vogël, e cila duke kaluar në të të bën të gjakosesh plotësisht. Por që tani kisha dalë në anën e dritës. Më dukej sikur gjetur pasurinë e botës dhe një gëzim i paparë më kaploi. E hodha librin më tej dhe vetëm sa s’po fluturoja. E gjeta të vërtetën thashë, e gjeta. Të gjitha ato presione dhe mendime negative që kisha më ikën. Nuk kisha më luftë në vete aspak. Isha plotësisht i lirë, një person krejt tjetër. Thashë të shkoj të zgjoja kushëririn që ishte në dhomën e gjumit në lidhje me vegimin, por jo e lashë që t’ia bëja nesër surprizën. Ishte një moment që e ndjeja Zotin aq afër sikur ta kisha pranë. Ishte një përjetim i paharruar që ndryshoi plotësisht jetën time.

Të nesërmen sapo i hapi kushëriri sytë, i thashë mirëmëngjesi “vëlla”. Ai mendonte se po bëja ndonjë shaka me të, por u zgjova nga shtrati duke i thënë se besoj që Jezusi është Zoti dhe Shpëtimtari i botës. Ai nuk po u besonte syve të tij. Mbrëmë vetëm sa nuk u zëmë keq me debatet tona dhe kishim një frymë mjaft kundërshtuese mes nesh ndërkohë që sot në mëngjes pa i larë ende sytë më thotë që është i krishterë. Iu afrova dhe e shtrëngova fort në përqafim të dy të gëzuar dhe ia tregova ngjarjen që nga fillimi. Kjo është një mrekulli tha dhe me të vërtetë ashtu ishte. Ai më udhëhoqi në lutjen e pendimit dhe që të dy më pas vazhduam të ndiqnim Jezusin.

Po mendoja prapa në atë që kisha kaluar dhe ishte me të vërtetë vepër e Zotit ajo që më bëri të besoj në Jezusin. Ishte gjëja më e vështirë për të bërë më parë. Ndërkohë që frika ime më e madhe ishte pikërisht të besoja në Jezusin se mos bëja shirk dhe dënohesha për këtë, tani kjo ishte pika ime e ngushëllimit që nëpërmjet besimit në të e kisha jetën e përjetshme. Duke qenë se përpara ishte plotësisht e pamundur t’i thosha atij Zot dhe Shpëtimtar, tani po më dilte spontanisht nga goja dhe sa herë që e mendoja këtë zemra ime mbushej me gëzim, paqe dhe siguri për jetën e përjetshme.

Besimi në Jezusin si rezultat i veprimit të Perëndisë nuk ishte edhe aq i lehtë për t’u mbajtur. Shpejt familja ime filloi të dyshoj se diçka kishte ndodhur me mua. E tëra filloi kur një të premte i tregova një kushëriri të afërm se nuk mund të vija në xhami se tash besoj tek Bibla si Fjalën e Perëndisë dhe Jezusin në vend të Muhamedit. Foli me xhaxhallarët e mi dhe pastaj edhe me babin tim. Njëri nga xhaxhallarët ishte haxhi që kishte vizituar Mekën dhe më financonte për studimet e mia sepse gjendja jonë familjare nuk e mundësonte këtë. Unë i kisha premtuar atij se do të vazhdoja mirë me studimet dhe do të qëndroja në rrugën e Allahut. Do të humbas financimin për në Prishtinë tani mendoja por sërish në brendësinë time ishte një forcë sigurie se do ia dal mbanë.

Babai im sapo dëgjoi erdhi menjëherë tek unë duke më pyetur se kam dëgjuar nga të tjerët diçka rreth besimit, çfarë po ndodh në të vërtetë? I thashë për atë që ke dëgjuar është e vërtetë, unë nuk besoj më në Muhamedin. Zemra ime po rrihte me shpejtësinë më të madhe të mundur. Nuk i besoja vetes që po gjeja forcë t’i thosha këto fjalë. Ai u trondit nga këto fjalë sepse kishte shpresuar që t'i thosha se ishin thashetheme. Doli menjëherë jashtë dhe po merrej me ca punë në kopsht ndërkohë që unë po e vështroja nga dritarja sjelljen e tij. Ishte me të vërtetë i tronditur. Në mbrëmje u takuam në dhomë sërish dhe këtë herë filloi bisedën më seriozisht. Më kërkoi që të kthehesha mysliman sërish sepse vëllezërit e tij po prisnin një përgjigje nga ai. I thashë që mund t'ua tregosh të vërtetën. Tha nuk mund ta bëjë këtë gjë dhe ti duhet që sonte të ndërrosh mendjen. Filloi të më bënte presion. Me gjithë keqardhjen time unë nuk mund ta bëjë këtë gjë ia ktheva. Mund të më kërkosh çfarëdo tjetër përveç besimit në Jezusin. Nuk mund të bëj kompromis me këto gjëra. Ndërsa i thoja këto fjalë më kujtohej vargu nga Bibla që thoshte: "Kushdo që do të më mohojë para njerëzve, edhe unë do ta mohoj para Atit tim që është në qiej." (Mateu 10:33). Nuk guxoj ta mohoj Jezusin mendoja por as që është e drejtë të veproja kështu pas gjithë asaj që kishte bërë për mua. Nuk kaloi gjatë në bisedë e sipër me babin tim kur ai u gjunjëzua para meje me lot në sy: "Po të lutem që të mos ma bësh këtë gjë. Është gjëja më e turpshme për mua. Një djalë më ka vdekur kurse ky i vetmi që kam tani e ka ndërruar fenë. Nuk mund ta toleroj këtë." Nuk i besoja syve të mi çfarë po ndodhte. Kurrë se kisha parë babin tim në gjendje kaq të përulur dhe atë para djalit të tij që në kulturën tonë ishte e paimagjinueshme. U çova menjëherë nga vendi duke mos e lejuar të rrinte në gjunjë dhe i thashë jam në gjendje për të bërë çmos përveç besimit në Jezusin. Nëse prezenca ime do të jetë e tepërt në këtë shtëpi unë mund ta lëshoj menjëherë dhe mbase kjo gjë të lehtëson edhe para vëllezërve dhe të tjerëve, por të lutem mos më kërko të mohoj besimin në Jezusin sepse nuk mund ta bëj. Ai u bë më agresivë në tonin e tij: “Por unë jam babai yt, unë të kam bërë ty” tha ai, “Dhe ti duhesh të më dëgjosh” , vazhdoi ai. “A të mëson Bibla jote t’i bindesh prindërve?” I thashë, “Po e thotë. Por së pari thotë që t’i bindesh Perëndisë pastaj të tjerëve?” ia ktheva. Isha duke menduar për Mateun 10:37: “Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua...” Ika në dhomën time me këto fjalë por ai më ndoqi pas. Sapo u fut tek dhoma ime pa Biblën dhe shumë libra të tjerë të krishterë që kisha mbledhur dhe ajo që bëri ishte e pabesueshme për mua. Filloi t'i griste të gjitha librat një nga një duke filluar nga Bibla. Nuk i shpëtoi as edhe një libër. Nuk reagova gjë duke e kuptuar që kishte humbur kontrollin. 

Të nesërmen u largova shpejt në Prishtinë ku edhe studioja që të qetësohej pak situata në shtëpi. Xhaxhai im ishte i qartë që nuk mund të më financonte më nëse do të vazhdoja të shkoja në bashkësi. I thashë që kishte të drejtë dhe unë vetë nuk mund të pranoja më ndihmën e tij duke e kuptuar situatën e tij. Vazhdova t'i besoja Jezusit se do të më ndihmonte. Shumë shpejt Perëndia më siguroi edhe punën që të mos i përkulesha askujt për ndihmë por edhe të mos e mohoja besimin tim. Babai im kishte vendosur të mos më fliste fare duke më injoruar tërësisht si birin e tij. Edhe shtëpinë që e kishte si pasuri thoshte që do ia linte Bashkësisë Islame sepse nuk kishte të drejtë të më linte gjë si trashëgimi. Falë Zotit që në vendin tim nuk mbizotëronte Sheriati sepse me anë të ligjeve të tilla ata do të kishin të drejtën edhe të më vrisnin. Shumë prej kushërinjve të mi kishin vendosur të mos flisnin me mua. Por unë tash kisha gjetur një mik të ri edhe më të mirë, Jezus Krishtin, i cili plotësonte çdo nevojë timen dhe ishte shumë real në jetën time.

Gjendja me babin vazhdoi të jetë e tillë për katër vite të tëra. As edhe një fjalë nuk e kemi bërë dot. Kur unë vija në shtëpi të vizitoja mamanë time ai largohej nga shtëpia ndonëse unë përpiqesha të afrohesha me të. Ai nuk më ofronte asnjë mundësi. Por ajo që për mua ishte e pamundur për Perëndinë ishte e mundur. Ndodhi që një natë ai kishte shkuarje barku të madhe nga një infeksion që kishte marrë dhe u sëmurë rëndë aq sa i ra të fikët dhe u rrëzuar në tokë. Unë iu afrova dhe e mora menjëherë duke e çuar në spital. U kujdesa për të për disa ditë për çdo nevojë që kishte dhe pash që zemra e tij qe zbutur mjaft. Filloi të më fliste sërish. Fillohej të afrohej pavarësisht që nuk kisha mohuar besimin tim. Perëndia po e kthente edhe babin tim prapa ndonëse nuk e mendoja që do të ishte në këtë mënyrë. Sërish i dhashë lavdinë Perëndisë për rrugët e tij që janë shumë të ndryshme nga tonat.

Vështirësia tjetër që pasonte për të ishte lidhja ime me një vajzë të krishterë. Sapo dëgjoi për lajmin që isha në një lidhje serioze me një vajzë që e donte Jezusin, raporti i tij me mua u keqësua sërish. I humbi edhe shpresa e fundit. Por në momentin që ai e takoi atë, për habinë time, e pëlqeu mjaft dhe më s'ishte kundër saj. Për më tepër me të fliste me mirë se madje edhe me mua. Pashë dorën e Zotit sërish duke vepruar. Ne u martuam dhe po vazhdojmë me besimin tonë tek Ai që kishte bërë kaq shumë mrekulli për ne.

Sot kur unë krahasoj besimin tim të mëparshëm me atë që besoj tani vërej shumë dallime. Jo se nuk isha i kënaqur me besimin e mëparshëm por kjo që kam gjetur sot është e pakrahasueshme. Jezusi mbushi boshllëkun që ekzistonte në zemrën time. Perëndia më zbuloi vetveten e tij dhe tani jam absolutisht i sigurt për këtë jo në bazë të ndryshimit të jetës sime.

Perëndia më zbuloi edhe një sërë dallimesh mes dy religjioneve. Gjëja e parë ka të bëjë me besimin, që në fenë islame ishte statik. Besoja që Perëndia ekzistonte lart por që ishte shumë i largët nga unë pavarësisht lutjeve dhe agjërimeve që bëja. Të gjitha gjërat që i bëja ishin për shkak të frikës që kisha ndaj Allahut dhe ndëshkimit që mund të më pasonte. Sot besimi im është funksional dhe bazohet në marrëdhënien e afërt dhe personale që kam me Perëndinë. Sot çdo gjë që veproj e bëj për shkak të dashurisë që kam ndaj tij dhe jo frikës. Gjëja tjetër ka të bëjë me karakterin e Perëndisë. Perëndia në Bibël është shfaqur të jetë personal dhe këtë unë e shijoj çdo ditë në jetën time me të. Perëndia tani është Ati im ndërsa unë fëmija i tij, gjëra këto që janë blasfemi në fenë islame. Tani kam mësuar që Perëndia e do të sëmurin (mëkatarin) por nuk e do sëmundjen (mëkatin) e tij. Më pas vjen siguria e përjetësisë. Gjendja ime e mëparshme për sa i përket shpëtimit nuk ishte e sigurt. Sado që veproja mirë sërish nuk ndjehesha që mund të arrija parajsën. Sot e di që Jezus Krishti mori dënimin tim duke vdekur në kryq për mëkatet mia. Kjo është siguria për të mos dalë në peshore duke i balansuar veprat e mia para gjyqit të ashpër të Allahut. Jeta e përjetshme në saje të besimit në Jezus Krishtin është dhuratë për mua dhe në ditën që do të takohem me të do të marrë shpërblimin që më takon. Përpara çdo herë ia bëja vetës një pyetje: Përse nuk mund të largohem nga mëkati pavarësisht të gjithave që i bëj? Nuk kisha mënyrë për ta parandaluar mëkatin. Pastaj si besimtar në Jezus Krishtin vura re që ekzistonte një fuqi në mua që më ndalonte dhe e shihja veten triumfues ndaj mëkatit. Madje po vërej një neveri ndaj mëkatit. Një prej dallimeve të tjera të mëdha tek vetja ime është se sa më shumë besoja në fenë islame aq më shumë i urreja hebrenjtë dhe të krishterët. Sot kjo frymë urrejtjeje nuk ekziston tek unë, për më tepër unë i dua myslimanët pavarësisht se ata më urrejnë tani. Lutja dhe agjërimi ishin mekanike, mësoja suret në gjuhën arabe, një gjuhë që thuhej se isha gjuha e Allahut por që ishte e pakuptueshme për mua. Tani lutja është domethënëse sepse lutem në gjuhën time dhe nuk ndjek një skemë të caktuar kur lutem, e them atë është në zemrën time duke e ditur që Perëndia dëgjon çdo ankesë timen. Edhe kur agjëroj sot nuk i tregoj askujt, mjafton që Perëndia e di dhe me këtë rast përpiqem të afrohem me Perëndinë duke lënë anash qoftë edhe gjënë më të nevojshme për jetën tonë ushqimin. Reflektoj mbi jetën time dhe të ardhmen si të jetë në përputhje me vullnetin e Zotit dhe e adhuroj Perëndinë për atë që është.

Miq të dashur, kjo është ngjarja ime për mënyrën se si arrita te takoj Jezus Krishtin personalisht në jetën time. Është gjëja më e çmuar që kam fituar ndonjëherë. Nuk ka të bëjë me religjione, cili është më i mirë se tjetri, por ka të bëjë me fillimin e një marrëdhënie të re me Perëndinë. Unë do të doja që të gjithë ju të shijoni të njëjtën gjë duke i kërkuar Perëndinë të ju shfaqet sepse Perëndia është besnik dhe mezi pret t'i afroheni atij. Për më tepër është premtim i tij që do t'ju përgjigjet: "Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju çelet." (Mateu 7:7). Në fakt ai tashmë është duke ju bërë thirrjen për një jetë të re me të, për një jetë me bollëk, plot paqe dhe gëzim.

Miq të dashur, unë kam bërë shumë gabime në jetë dhe për shumë çka jam penduar, por për një gjë nuk kam gabuar kurrë dhe as që jam penduar ndonjëherë në jetë: për besimin tim në Jezus Krishtin, Zotin dhe Shpëtimtarin tim. Vendimi është në duart tuaja.

Jini të lirë të më kontaktoni për çfarëdo pyetje që mund të keni në: Ibrahim_hoxha(at)yahoo.com

Perëndia qoftë me ju!