Si dhe pse u bëra i krishterë?
Femi Cakolli
Fëmijëria dhe rinia ime: prej myslimanizmit deri te ateizmi
Ashtu si shumë bindje të shumta që një fëmijë i merr nga familja e tij, edhe me mua ishte njësoj, dhe ndër to ishte feja, përkatësisht formimi mbi religjionin. Megjithëse rrjedh nga një familje me besim mysliman, unë gjithsesi trashëgova në jetën time disa njohuri dhe praktika islame. Edhe sot më kujtohen këto pikëpamje të dikurshme mësimesh: feja myslimane asht feja ma e pastër; feja myslimane asht ma drejta; Muhamedi asht profeti i fundit dhe ma i dashtuni i Perëndisë; çdo fëmijë lind mysliman; myslimanët kanë bajramin, xhaminë, Kuranin, hoxhën, duhet falur dhe kaq. Dhe kur u rrita, në mesin e rinisë sonë të atëhershme “revolucionare” ishte turp që t’i besosh dhe t’i zbatosh këto gjëra, ose të besosh ekistencën e Zotit, dhe më turp të merresh me xhami ose me kishë, sepse “feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Megjithëse ne edhe si familje, sidomos vëllezërit më të mëdhenj, ishin veprimtarë ilegal të çështjes kombëtare, të organizuar nëpër grupe të ndryshme, i ndikuar nga ata dhe literatura që kishin me baza patriotike dhe markisto-leniniste, të gjitha këto në mua krijuan një opinion të ri, se nuk ka Zot. Prandaj si i ri tani mora pikëpamje të reja mbi çështjet fetare: se nuk ka Zot, por se natyra është vetë Zoti; se Kurani s’është libër i shenjtë; se islamizmi është lëvizje nacionaliste arabe, e neve nuk na duhet aspak, se ne për fe kemi shqiptarinë dhe se besa është prifti i shqiptarisë; se hoxhollarët janë spiunët më të mëdhenj të Serbisë; se hoxha nuk hip në minare pa pare; se shkenca është përgjigjje e çdo gjëje etj.
Një përpjekje për t’u bërë hoxhë!
Babai im ishte hoxhë fshati për shumë vjet, dhe me një mënyrë edhe përmes tij njihja të fshehtat e praktikës fetare të klerikëve myslimanë, të literaturës islame, si dhe shkallën e injorancës dhe të primitivizmit të turmës islame (xhematit) në xhami dhe në jetë. Babai im kërkonte prej meje që të regjistrohesha në medresën e Prishtinës. Ishte viti 1985. Isha në vitin e dytë të shkollës së mesme. Unë nuk kisha dëshirë për këtë, edhe pse u bënë shumë përpjekje, në fund doli se nuk u pranova në këtë medrese. Më kujtohet, kur komisioni për pranimin e nxënësve të ri më pyeti për tri çështje: 1. Na e thuaj (a di) ndonjë dovë (lutje) n’arabisht? E unë nuk e thashë mirë përgjigjen. 2. A e ke Kuranin n’shpi? Unë iu përgjigja, jo! 3. A don me u ba hoxhë katuni more djal? Iu thashë, jo, pasi kjo pyetje më tingëllonte një ironi dhe cenueshmëri të padurueshme!
Pse nuk u bëra hoxhë katundi?
Së pari, kisha frikë, kur mendoja se nesër, unë si i ri, kur dikush do të vdiste, e zakonisht kisha trem nga të vdekurit, veçanërisht nga të vjetërit, dhe po llogaritja se unë do të jem i obliguar t’i laja ata (“me e la xhenazen”), kurrsesi ta pranojë këtë ofertë hoxhollaku. Paramendo, një të ri 18 vjeçar si hoxhë, duke e larë një plak 90 vjeçar të vdekur, lakuriq. O Zot, si mund të përballet kështu kjo jetë fetare pata menduar, dhe çfarë Zoti është ai i cili kërkon prej meje diçka të tillë. Gjëja e dytë ishte, se nëse unë bëhesha hoxhë, më s’kisha mundësi të jem me shokët dhe shoqet e mia. S’kisha mundësi të luaja më futboll, të lahesha në lum, të shikoj sportin në televizion, s’mund të merresha me krijime, s’mund t’i kisha veshur ato rroba që i dhëshiroja etj. Gjëja e tretë, mua më dukej sikur po i tradhëtoj idealet e rinisë sonë të atëhershme që sakrifikohej nëpër burgje për idealet e kombit, sepse si hoxhë më unë nuk do të kisha aq shumë kredibilitet i të qenët patriot, revolucionar etj. Çfarë do të kisha si hoxhë: fshatarët do më respektonin formalisht; do të kisha me vete një tufë pleqësh që nuk të dëgjojnë e as nuk të kuptojnë mirë; do të kisha rast t’i marrë para pas çdonjërit që do të vdiste në “vilajetin” tim, dhe do t’i prisja ofertat e ramazanit e kështu me radhë. Me një mënyrë po kuptoja se thirrja si hoxhë më izolonte nga jeta, nga rinia, nga ideali, nga horizonte të reja të dijenisë, nga privimi i lirisë çfarë unë e ëndërroja ta kem në thellësitë e shpirtit tim, dhe assesi të pajtohesha me këtë fat, pasi që nuk kisha se me çfarë të krenohesha edhe si i ri edhe si shqiptar. Shpeshherë mendoja të shkruaja një roman mbi këto ngjarje. Deri në këtë moshë, dhe deri sa kam mbaruar shkollën e mesme nuk kam ditur se shqiptarët janë edhe të krishterë edhe myslimanë. Madje nuk kam ditur as për popujt e tjerë. Mendoja se gjithë njerëzimi është myslimanë, përveç serbëve. I ndikuar nga botëkuptimi islam urrejtja ime në atë kohë ndaj serbëve ishte vetëm pse ata ishin “kryqali”, por jo se ata ishin armiqtë dhe shtypësit tanë, këtë e mësova vetëm nga atdhetarët.
Rinia studentore: faza e vetëdijësimit dhe e analizimit
Në Prishtinë erdha për të studiuar letërsinë shqiptare në vitin 1989, me një motiv kryesor që të njoh më mirë shpirtin, letërsinë dhe historinë e kulturës sonë. Tani kisha një përkushtim shumë të madh duke lexuar libra të ndryshme edhe sipas zgjedhjes sime të lirë, duke dëgjuar profesorë të ndryshëm, duke marrë pjesë nëpër takime dhe supoziume të ndryshme, duke jetuar në një ambient të ri etj. Këto ndikonin në mua që më analitikisht t’i gjeja përgjigjiet për disa çështje të kahershme. Dhe ndodhnin disa ballafaqime të reja në mendjen time. Banoja në konvikt, dhe në dhomë kisha një cimer që ishte shqiptar katolik, nga Stublla e Vitisë. Mësova nga letërsia dhe historia jonë se dikur gjithë shqiptarët kanë qenë të krishterë, dhe se ka edhe tani, dhe se ka kishë të tillë edhe në Prishtinë, se letërsia jonë kombëtare, rreth 300 vjet, pandërprerë, prej fillimit, është shkruar kryesisht prej priftërinjve katolikë apo ortodoksë. Zelli që ta studioja më mirë një lëndë të vitit të parë, Letërsia e vjetër shqiptare, më çoi deri tek kisha katolike në Prishtinë, dhe kjo e dyta më çoi deri tek kisha protestante, po ashtu në Prishtinë, për të kërkuar më shumë literaturë kishtare, religjioze dhe psikologjike.
Krahasimet dhe burimet civilizuese
Zbulimi i këtyre dy kishave në të menduarit tim zgjoi interesim lidhur me praktikimin e jetës së krishterë. Ndërkohë, u ndesha edhe me më shumë fakte të tjera, se: xhamia e madhe në Prishtinë, para 280 vjetëve kishte qenë kishë, madje në oborr të saj kishte qenë varri i Pjetër Bogdanit; se ndërtesa e teatrit kombëtar kishte qenë kishë; se një kishë tjetër ishte rrënuar në Prishtinë, dhe në vend të saj ishte ndërtuar një ndërtesë tjetër; se para Hotel Grandit në Prishtinë deri 37 vjetvëve kishte pasur edhe aty një kishë dhe ishte rrënuar; se kishte ende familje të shumta që në fshehtësi praktikonin fenë krishtere, kurse formalisht për opinion ishin myslimanë etj. Një gjë tjetër që vëreja ishte edhe krahasimi i ritualeve dhe jetës fetare ndërmjet kishës dhe xhamisë, ndërmjet priftit dhe hoxhës, ndërmjet Biblës dhe Kuranit, ndërmjet kulturës krishtere dhe islame, ndërmjet vendeve perëndimore dhe lindore. P.sh. derisa në meshë kam parë edhe të rinj, vajza dhe fëmijë, në xhami kryesisht shihja pleq. Edhe pse populli ynë me shumicë myslimane vëreja që ata më shumë i zinin besë priftit sesa hoxhës. Prifti fliste gjuhën shqipe, hoxha arabishten dhe herë-herë një shqipe shumë të varfër. Krahasimet janë tmerruese. Fillova që të lexoj librin “Rrethimi i Shkodrës” të Marin Barletit. Ndër të tjera atje shohim përshkrimin e bukurisë ( e veshur me lloj fustanelle, në të bardha dhe në të zeza, me flokë të gjata për shpine) dhe të trimërisë së gruas shqiptare, (shkel mbi kufomën e burrit të saj dhe hedh zjarr nga kështjella kundër armiqëve). Duke i lexuar këto përshkrime nga ky libër, në shtëpinë time, në mua krijoheshin dy parafytyrime. I pari, nëna shkodrane, e para 500 vjetëve, (e bukur, trimëreshë, atdhetare) dhe nëna ime, sot (me bukurinë e saj të mbuluar me petkat e urryera nga shkodranja, ndërsa atributi kryesor i personalitetit të saj ishte “të heshtësh”, “të lindësh”, “të shërbesh”). Nga historia jonë kombëtare mësova një mësim të madh se tek iliro-shqiptarët nuk ka ndonjë institucion më të vjetër sesa kisha e krishterë e cila ka një vazhdimësi 2000 vjeçare. Asgjë tek shqiptarët nuk ka më të vjetër sesa kisha e Krishtit, gjithë të tjerat ose janë më të reja ose janë ndryshuar. Dhe sot vetëm kishës së krishterë në mes shqiptarëve i ndodh që të jetë edhe vlerë themelore fetare dhe kombëtare.
Krahasimet e vlerave shpirtërore: krishterimi dhe islamizmi
Në atë kohë jo s’e kisha ndonjë formim teologjik mbi këto çështje, por unë duke u nisur nga kontaktet që kisha formuar me të krishterët, si dhe duke ditur çfarë është jeta islame, me kohë vëreja disa dallime të mëdha. Të krishterët, sidomos ata ungjillorë, këmbëngulnin në të jetuarit e shenjtë, në falje, në pendim, në dashuri, në emancipim të vazhdueshëm frymor, prej myslimanëve nuk kërkohet asnjëherë. Kur fillova qa ta lexojë Biblën, ndër të tjera hasa dhe në historinë tonë. Bibla përmendte Ilirinë, Dalmacinë, Apolloninë dhe Nikopojën, prandaj kjo më dukej më afër, përderisa Kurani, të cilin shumë më vështirë e kuptoja, më dukej shumë më i largët. Biblën e vëreja si një histori enciklopedike e dijës së shumë popujve, kurse Kuranin më tepër si një rezyme biblike jo e qartë arabe. Të bëhesh i krishterë kërkohej një kontakt apo një përjetim i Zotit, kurse si mysliman kjo pretendohej se trashëgohej qysh prej paralindjes. Kjo mendësi e trashëgimisë së besimit ose të religjionit është gabimi më serioz i doktrinës religjioze, pasi që kurrë nuk do të ketë rilindje frymore të besimtarëve. Ne kuptojmë se gjenet, pasuria, të mirat materiale kulturore trashëgohen, por jo edhe idetë, apo religjionet. Tek krishterimi unë gjeta një liri dhe tolerancë më të madhe, se sa tek islamizmi. Nuk ka ndonjë krahasim më të mirë të jetës dhe vepërs së Krishtit dhe Muhamedit për të kuptuar dallimet mes krishterimit dhe islamizmit. Jezusi e jep jetën e tij për ne mëkatarët që të shpëtojmë kurse Muhamedi i vret ata që nuk besojnë si ai. Jezusi i ringjall njerëzit kurse Muhamedi vret. Jezusi nuk ishte kurrë i martuar, e Muhamedi kishte 14 gra etj.
Gjoni dhe feja jonë e vjetër
Mbaja mend nga babai im dhe nga dëshmitarë të tjerë duke dëshmuar se ne dikur si familje, të ardhur para 170 vjetëve nga fushat e Leskocit, paraardhësit tonë kanë qenë të krishterë ortodoksë, dhe se Gjon ishte emri i paraardhësit tonë të fundit të krishterë i cili kishte kaluar në besimin mysliman. Qysh nga fëmijëria kisha një respekt dhe tingëllim të mahnitshëm për këtë emër. Stërgjyshi ynë ishte Gjoni, dhe prej tij e deri tej unë na ndanin vetëm 11 breza. Në vitin 1991, për herë të parë kisha në dorë Dhiatën e Re, dhe njëri nga ungjijt quhej “ungjilli i Gjonit”, dhe ky ishte një ungjill i cili në mënyrë themeltare më fliste Zoti. Para vitit 1990 jo vetëm në familjen tonë por në të gjitha të anës sonë festohej me një mënyrë Krishtlindja (populli e quan Bozici), pastaj Shën Gjergji, Shën Mitri etj.
Besimi në Jezus Krishtin
Ishte marsi i vitit 1992, kur unë përfundimisht ia dorëzova zemrën time Jezusit si Zotit dhe Shpëtimtarit tim. Zoti më kishte dhënë një vegim, dhe aty më thirriste që unë të bëhesha prift i tij (i ndarë për të, i veçuar prej tij, i dedikuar për të). Ky ishte një përjetim personal, dhe unë iu dorëzova kësaj thirrjeje hyjnore të Perëndisë. Unë kisha një përjetim personal të bekimeve të Zotit mbi mua. Jezusin e pranova në jetën time, duke qenë sundimtari dhe zotëruesi im. Bëra lutjen e shpëtimit dhe të pendimit prej mëktateve, dhe kjo ishte lutja ime e parë bërë Zotit plotësisht në gjuhën shqipe. Kisha një çlirim dhe një prekje shpitërore. Për ta zhvendosur besimin tek Krishti, askush tjetër nuk më detyroi. Në këtë vendim unë isha vetë i zoti. Krishti nuk kërkoi prej meje se duhet ta ndërroja emrin dhe mbiemrin tim, as të kisha njdonjë petk të veçantë, as ndonjë imixh të veçantë, as për ta spiritualizuar këtë besim, por thjesht që jeta ime ta kënaqte Zotin dhe që zemra ime të shortohej për të, e as që të bëhesha katolik apo ortodoks, por që të isha ndjekës i tij personal, dishepull i tij.
Kundërshtitë e besimit tim protestant
Besimin tim fillova që ta shfaq së pari në kishën protestante në Prishtinë, e pastaj edhe në familjen time, dhe tek rrethi im më gjërë. Gjithëkund korrja reagime të ashpra në emër të disa parollave të mëdha. Më parapara për cilindo njeri apo ideologji që flisja nuk kishte reagime të tilla, as për Budën, as për Konfuçin, as për Platonin, as për Muhamedin, Abrahamin, as për Marksin, as për Leninin etj., por për Krishtin, kishte një averzion të madh. Kështu kuptova që në fillim luftën frymore, dritën nga errësira. Bibla thotë që terri dhe djalli e kundërshton Krishtin, i cili vjen nga qielli, nga drita, kurse bota është gati që të marrë gjithçka që vjen nga vetvetja e saj. Kundërshtimet ishin, dhe vazhdojnë që të jenë edhe sot nga njerëz apo grupacione të ndryshme. Më kujtohet kur isha ftuar nga disa inspektorë serbë në bisedë informative lidhur me besimin dhe veprimtarinë time. Ata me ironizonin duke më thënë “ti je lind mysliman, dhe ashtu duhesh të vdisësh. Pse të intereson Krishti, ai është i yni, ju jeni me turq, me arabë. Dëgjoje atin tënd, dhe se krejt shqiptarët jeni myslimanë”. Policia serbe, disa herë më kishte marrë në pyetje dhe kishte kontrolluar banesën time, duke dyshuar se unë jam spiun i CIA-s, së bashku me të gjithë ungjillorët e Prishtinës. Madje në gazetën “Jedinstvo”, dhe “Politika”, po botohej në feton kundër nesh dhe lëvizjes ungjillore në Kosovë, kurse një “gazetar”, specialisht po për këtë temë shkroi një libër lidhur me ne, në dy vëllime, i quajtur “Ubij bliznog tvoga” . Po ashtu më kujtohet, ishte viti 1995, kur disa politikanë shqiptarë, të cilët kishin dëgjuar për këtë, më ftuan në bisedë, dhe ata ishin të bindur se ne vërtetë ishim bashkëpunëtorë të CIA-s. Unë po u sqaroja se nuk është ashtu, ndërsa njëri prej tyre më thoshte “dashtë Zoti që të jeni, pse jo, dhe s’keni nevojë që të na tregoni”. Shumë të tjerë, nga shqiptarët, më thonin se ne kemi lidhje me shkiet. Katolikët na quanin si “laramana”, dhe se ne s’mund të ishim të krishterë pasi që nuk kishim lindur të tillë. Disa nga shokët e mi më quanin për të çmendur sepse po merresha me fe, me gjëra të kota. Intelektualët na quanin sektë, disa të tjerë se besimin e kam ndërruar për të holla. Ishte viti 1996, kur më thirri në hoxhë i rëndësishëm i Prishtinës në bisedë, dhe ai kërkonte prej meje botërisht që ta mohoj këtë besim, sepse sipas tij shumë veta myslimanë do ta marrin këtë besim. Në vitin 1998 Krishtin pranoi edhe babai im ashtu sikur edhe shumë anëtarë të tjerë të familjes sime. Jezusi ka paralajmëruar se për shkak të tij do të kemi persukutime dhe përjashtime. Unë jam i kënaqur dhe me paqe dhe me besim të sigurtë dhe aktiv duke përmbushur dy porositë e mëdha të Zotit Krisht: Duajeni Perëndinë me gjithë qenien tënde dhe duaje të afërmin tënd si vetveten si dhe të përhapim mbretërinë e Perëndisë tek çdo njeri. Edhe për kundërshtimet ndaj besimit duhet falënderuar Perëndia. Çfarë besimi do të ishte ai në qoftë se nuk do të kishte sprova të ndryshme.
Zoti ju bekoftë!
P.S. Femi Cakolli është pastor i Kishës Protestante “Bashkësia Ungjillore e Mesisë”, në Prishtinë.