Më lejoi të eci hapave të tij

Unë jam Vehbi Kelmendi, jam i lindur ne Prizren, shkollën fillore dhe të mesmen e kam kryer ne Prizren, tani vazhdoj fakultetin në Prishtinë për ekonomi.

Jam fëmija i tretë prej katër fëmijëve sa jemi në familje. U linda në një familje me tradita myslimane, ku nuk është folur shumë për fenë, por i festonim festat e islamit. Si i vogël shkoja për të falur Bajramin sepse kisha një bindje se vetëm duhet të festoja festat dhe kaq, nuk me interesonte kush është Zoti?

Në shkollën e mesme fillova të shkoja në një organizatë arabe "AL-HARAMENI", ku dhe mësonim anglisht por edhe për Muhamedin, dhe fillova të falesha ndonjëherë edhe 5 vaktet, por në atë organizatë ku ne mësonim për fe, thoshin se nuk duhet të mbaheshin fotografitë e askujt, qofshin ato edhe të dëshmorëve të kombit të cilët ranë hero për ne, dhe kjo disi më lëndoi thellë. Vazhdova të kem bindjen edhe më tek se vetëm Kurani është i vërteti, duke mos i lejuar vetes të kërkoja të vërtetën, duke menduar se duhet të bëj mirë por prapë duke mos e ditur se ku do të me çonte kjo mirësi. Mendoja se vetë duhet ta udhëhiqja veten, nuk e kuptoja se duhet të ishte Zoti ai për të udhëhequr jetën time. E dija se Zoti është i mëshirshëm, por asgjë nuk me siguronte, kisha një bindje se Zoti është i drejtë dhe i dashur por ende nuk e kisha takuar.

Një shoqe e imja me dha një libër "Kam dashur një vajzë". E lexova, dhe në fillim, thash në paragjykim, kjo e krishterë qenka. U takova me disa te krishterë tjerë dhe duke biseduar më tregonin se çka kishte bërë Zoti për ta dhe mbeta i habitur. Thash me vete unë kam qenë njeri i mirë edhe jam falur edhe Zoti nuk më thotë asnjë fjalë dashurie, mirëpo sërish mendoja që Zoti im është i vërtetë dhe Muhamedi është vërtetë, i dërguar i Zotit dhe vulë e pejgamberëve. Fillova ta lexoj Dhiatën e Re edhe aty pash dhe kuptova më shumë për dashurinë e Zotit, dashurinë për të cilin më flisnin shokët e mi, dashuri për të gjithë ata që besojnë në emrin e Krishtit Jezus.

Aty mësova edhe drejtësinë që për të paguar për mëkatet tona Jezusi flijoi veten për ne, dhe pas tre ditëve ishte ringjallur. Ai ishte i gjallë. Unë vendosa që ta pranoj Krishtin për Shpëtimtarin tim, dhe vetëm pasi e bëra këtë e kuptova se dëshmorët që ranë për liri ranë për dheun e Kosovës, kurse Jezus Krishti vdiq dhe u ringjall për të gjithë ata që besojnë në emrin e tij.

Duke e pasur Krishtin në jetën time, ajo fillojë të dukej ndryshe. Për më tepër tani isha i çliruar nga mëkati. Krishti jo vetëm se m’i fali mëkatet por më dha pushtet që edhe unë të jem bir i Perëndisë (në kuptimin frymor). Ai lejoi që ne dhe unë të ecim në hapat e tij, sepse nuk është një Zot egoist që gjërat t’i mbajë për vete. Sjellja ime ndryshoi. Unë jam por Ai është në mua. Jeta ime dikur e shthurur dhe me plot errësirë u shndërrua në dritë nga fuqia e Jezus Krishtit.

Zoti ju bekoftë!


Dëshmi të tjera besimi
Përgjigje Islamit faqja kryesore