Jezusi si Biri i Perëndisë

nga

Luther Engelbrecht
Ernest Hahn

Hyrje

Myslimanët besojnë që Perëndia është një, që nuk ka perëndi të tjerë përveç Perëndisë. Ata mund të debatojnë që ndonëse të krishterët pohojnë të jenë monoteist, ata në fakt besojnë në më tepër se një Perëndi. Meqë të krishterët besojnë që Jezusi është Biri i Perëndisë, ata gabojnë në këtë mënyrë si njerëzit e tjerë të kohës antike apo të kohërave moderne që kanë besuar në mori të perëndive apo të bijve dhe bijave të perëndisë.

Shumë shpesh diskutim religjioz në relacionin mysliman-i krishterë ndërpritet në temën e Birërisë së Jezusit. I krishteri pohon që Jezusi është Biri i Perëndisë; myslimani mohon që Jezusi është Biri i Perëndisë. Që të dy pajtohen të mos pajtohen, secili i bindur që ka të drejtë ndërsa tjetri gabim përderisa shkojnë rrugëve të tyre të ndara.

Por a ka ndonjë alternativë tjetër? Nëse supozohet se ka, mund të parashtrohen disa pyetje: A e ka kuptuar i krishteri çfarë nënkupton Birëria e Jezusit për myslimanin dhe pse myslimani e mohon atë? A e ka kuptuar myslimani në të vërtetë çfarë nënkupton Birirëria e Jezusit për të krishterin dhe pse i krishteri e pohon atë? Lidhur me këtë temë, e cila për shekuj të tërë ka qenë e njohur që sjellë më tepër tension se sa dritë, a do të mund të pajtoheshin si njëri dhe tjetri për t’i sqaruar pozitat e tyre relative tërësisht dhe për të dëgjuar njëri tjetrin më me qëllim dhe më njerëzisht? 

Qëllimi i kësaj eseje është për t’iu ndihmuar së bashku myslimanëve dhe të krishterëve të depërtojnë pak më thellë në konceptin biblik të Jezusit si Biri i Perëndisë dhe rëndësinë e kësaj ideje për të krishterët. Në të njëjtën kohë, shpresohet që kjo ese, ndërkohë që shpaloset, të demonstroj të paktën pak ndjeshmëri drejt pozicionit mysliman të vërtete lidhur me këtë temë vitale. Aty ku duhet për korrigjim apo përforcim, me kënaqësi lejoni miqtë myslimanë t’ju ofrojnë ato.

Kuptimi biblik i fjalës “Bir”

Për të kuptuar kuptimin biblik të Jezusit si “Biri i Perëndisë”, së pari duhet ekzaminuar përdorimin biblik të fjalës “bir”. Në Bibël, “bir” është një term që shpreh një marrëdhënie intime me dikë apo diçka; kryesisht e dëshmon origjinën, por po ashtu përdoret për të shprehur afërsi të ngushtë apo identifikim me individë apo gjëra. Edhe kur shfaqet origjina, ky term nuk e kufizon veten e tij ndaj babait të tij apo nënës. Një person mund të thirret “bir” i këtyre që pasojnë: i babait dhe nënës së tij, familjes së tij, fisit të tij, njerëzve të tij, vendit të tij të lindjes (qytetit apo shtetit) dhe kohën apo rrethanat e lindjes së tij. Terminologjia “atë-bir” përdoret po ashtu në lidhje me mbretërit dhe vasalët apo njerëzit e tyre, zotërinjtë dhe shërbëtorët e tyre, mësuesit dhe dishepujt dhe gati në çdo situatë në të cilën dikush është i nënshtruar apo i mbështetur në dikë tjetër. Kërkesa themelore e “birit” është të nderoj dhe t’i bindet “atit” të tij, por ai po ashtu duhet ta dojë dhe imitojë atë.  

Termi “bir” është përdorur edhe në shumë mënyra tjera në Bibël, disa prej të cilave janë të lidhura me origjinën por të tjerët kryesisht manifestojnë një lloj afërsie apo ngjashmëri me individë apo gjëra. Një grup i madh, disi homogjen mund të thirret “bijtë” (grupet profesionale apo ato etnike veçanërisht). Disa karakteristika apo kualitete vetvetiu personifikohen dhe konsiderohen sikur të kishin “bij” – ata që posedojnë karakteristika apo kualitete të njëjta. Përdorime të tjera të termit “bir” në Bibël reflektojnë përdorime të gjithanshme dhe imagjinative të këtij termi veçanërisht në gjuhën hebreje.

Lista komplete e përdorimeve të ndryshme të termit “bir” në Bibël do të ishte shumë e gjatë për këtë ese. Disa prej përdorimeve më tepër idiomatike janë të listuara më poshtë, me kuptimet e tyre të drejtpërdrejta. 

 

Dhiata e Vjetër

Referenca:               Shprehja(sikurse në tekstin origjinal)

                           -- Kuptimi (siç është në përkthim)

Zanafilla 5:32:                 "bir i pesëqind vjetëve"

                                -- "pesëqind vjeçar"

Zanafilla 15:3:                "bir i shtëpisë sime"

                               -- "shërbëtor në shtëpinë time"

Ligji i Përtërirë 25:2:        "bir i goditjeve"

                               -- "meriton të rrihet"

Gjyqtarët 19:22:               "bijtë e Belialit"

                               -- "njerëz të këqij"

I Samueli 20:31:               "bir i vdekjes"

                               -- "ai duhet të vdes"

I Mbretërve 20:35:             "bijtë e profetëve"

                               -- "shoqëri e profetëve"

II Mbretërve 14:14:            "bijtë e pengjeve"

                               -- "pengjet"

Jobi 41:28:                    "bijtë e harqeve"

                               -- "shigjeta"

Isaia 60: 10:                  "bijtë e tokës së huaj"

                               -- "të huajt"

Vajtimet 3:13:                 "bijtë e dridhjes"

                               -- "shigjetat e kukurës"

Joeli 3:6:                     "bijtë e grekëve"

                               -- "grekët"

Zakaria 4:14:                  "bijtë e vajit"

                               -- "të vajosurit"

Dhiata e Re

Mateu 9:15:                    "bijtë e dhëndrit"

 

                               -- "mysafirët e dhëndrit" 

Mateu 12:27:                   "bijtë tuaj"

                               -- "njerëzit tuaj"

Luka 10:6:                     "bir i paqes"

                               -- "njeri i paqes"

Luka 16:8:                     "bijtë e kësaj kohe"

                               -- "bijtë e kësaj bote";

                               "bijtë e dritës" 

                               -- "njerëzit e dritës"

Gjoni 17:12:                   "bijtë e shkatërrimit"

                               -- "biri i humbjes"

Veprat 13:26:                  "bijtë e familjes së Abrahamit"

                               -- "bij të pasardhësve të Abrahamit"

Galatasve 3:7:   "ata që janë nga besimi janë bij të Abrahamit"

Efesianëve 2:2:                "bijtë e mosbindjes"

                               -- "ata që janë të pabindur"

 

Këto më lartë janë vetëm disa nga përdorimet e shumta të termit “bir(j)” në Biblën e Shenjtë. Përdorimet më të shpeshta, të cilat zakonisht janë përkthyer fjalë për fjalë, janë lënë anash. Sidoqoftë, një grup i tillë do të mund të ilustrohej këtu: personal, por prapë jo-fizik, marrëdhëniet “Atë-bir”:

 

                     Babai             Biri(bijtë)

I Samueli 3:6         Eli              Samueli

I Samueli 24:16       Sauli            Davidi

I Samueli 25:8        Nabali           Davidi

Fjalët e Urta 1:8,    Solomoni         lexuesi

II Mbretërve 2: 12    Elija            Elisha

II Mbretërve 8:9      Elisha           Mbreti Ben-Hadad

II Mbretërve 5:13     Naamani          shërbëtorët e tij

Gjyqatërt 18:19       prifti           njerëzit

Zanafilla 4:21       muzikantët e parë gjithë muzikantët, etj

Mateu 9:2            Jezusi            paralitiku

I Timoteut 1:2, etj.  Pali              Timoteu

Titi 1:4              Pali              Titi

Filemoni 1           Pali               Filemoni

I Pjetri 5: 13       Pjetri             Marku

Gjuhët e tjera e përdorin po ashtu termin “bir” në një shumicë mënyrash. Kështu, në gjuhën arabe të Kuranit, “bir” nuk nënkupton domosdoshmërisht një çështje direkt mashkullore apo pasardhës. Një shembull i njohur është ibnu sabil (”biri i rrugës”), që do të thotë “udhëtar”. Një shembull tjetër me të cilin shumë janë të njohur është “biri i Satanit”, përshkrim i vërtetë për çdo intrigant (ngatërrestar) (shih po ashtu Veprat 13:10). Është e qartë që Satani nuk ka grua në mënyrë që të ketë një bir! Emri nënkupton që intriguesi është si Satani, një trupëzim i Satanit, pra “Satani me ne”. Ia vlen të përmendet gjithashtu termi arabik ummu’l kitab (literalisht “nëna e librit”) Shkrimi qiellor nga i cili i tërë rrjedh i tërë shkrimi në botë që kemi, sikurse i çdo shkrim të ishte fëmija i saj. 

Në dritën e kësaj më sipër, le të ndalemi te vargjet e njohura të Kuranit: “Ai, All-llahu është Një... As s'ka lindur kë, as nuk është i lindur….” (Surja 112:1-4). Kjo sure qartë thekson që Perëndia nuk ka bir dhe që asnjë bir nuk mund të jetë Perëndi. Përse? Si mund të ketë ai fëmijë, kur nuk ka të adhuruar tjetër veç tij?... (surja 6:102). Siç sugjerojnë këto dhe vargje të tjera po ashtu, madje të imagjinosh që Perëndia mund të ketë grua dhe marrëdhënie seksuale me të do të ishte marrëzi absolute. Por a i adresohen këto vargje kuranore kuptimit biblik të Birërisë së Jezusit? A e pohon Bibla që Perëndia ka grua dhe nëpërmjet lindjes ka bir, emri i të cilit është Jezus? Përgjigjet tona ndaj këtyre pyetjeve do të jenë më të kuptueshme nëse e konsiderojmë në thellësi më të madhe kuptimin biblik të “birit të Perëndisë”.

Kuptimi biblik i termit “Bir i Perëndisë”

Termi “bir i Perëndisë” gjithashtu përdoret në një mori mënyrash në Biblën e Shenjtë. Si krijues, Perëndia është “Ati” i Adamit dhe i tërë njerëzimit (Luka 3:38; Isaia 64:8; Malakia 2:10; etj). Sidoqoftë, një marrëdhënie më specifike “Atë-bir” arrihet nga zgjedhja e hirshme e Atit dhe e bindjes besnike dhe shërbimit të të birit, jo me anë të krijimit dhe sigurisht që jo me anë të lindjes. Në këtë kuptim, të poshtëshënuarat janë disa nga ato të referuara si “bir (bijtë) e Perëndisë” në Bibël:

1. Njerëzit e zgjedhur nga Perëndia (Eksodi 4:22; Jeremia 31:9,20; Osea 11:1; Romans 8:14; II Corinthians 6:18; Galatasve 3:26; Hebrenjve 2:10; Zbulesa 21:7)

2. Qeniet qiellore (Jobi 1:6)

3. Mbretërit dhe pushtuesit (II Samueli 7:14; Psalmi 2:7; 82:6; 89:26.)

4. Besimtarët, të perëndishmit (Mateu 5:9; Luka 6:35)

Nëse kuptimi i termit “Bir i Perëndisë” në rastin e Jezusit do të kufizohej në domethënien e njëjtë që e ka në rastet më lartë, edhe myslimanët do të mund të pajtoheshin me përdorimin e termit. Në fakt disa sufi flasin për Perëndinë si “Atë” dhe për njerëzimin si “bijtë e Perëndisë”. Myslimanë të tjerë po ashtu, mund ta vënë në pyetje këtë terminologji duke e preferuar përdorimin e “shërbëtorit” në vend të “birit”. Ende, fakti qëndron se Perëndia duke qenë Atë dhe njerëzimi si fëmijët e tij, mënjanë çdo konotacioni seksual, është një ide në pajtim me opinionet e disa myslimanëve.

Që të barazohet Birëria e Jezusit me birërinë e qenieve të tjera të përmendura më lartë, do të ishte mohim i të vërtetës së qartë të Biblës së Shenjtë dhe i vetë esencës së besimit të krishterë. Jezusi është më tepër se një nga njerëzit e zgjedhur të Perëndisë, më tepër se një nga të dërguarit e Perëndisë, më tepër se një që sundon në vendin e Perëndisë në tokë, më tepër se një që e kënaq Perëndinë, ndonëse ai është edhe plotësisht një nga këta.   

Jezusi si Bir unik i Perëndisë

Atëherë çfarë është evidenca e këtij e pohimi të jashtëzakonshëm? A është sepse Jezusi qe një njeri i lindur nga një grua e virgjër? Disa të krishterë, është e vërtetë, mund të përfundojnë se për shkak që Jezusi qe lindur nga e virgjëra Mari, Ai është Biri i Perëndisë. Njëlloj, disa myslimanë, ndërkohë që e mohojnë se Jezusi është Biri i Perëndisë, mund të konsiderojnë që lindja e virgjër e Jezusit është baza e besimit të krishterë që Jezusi është Biri i Perëndisë. Sidoqoftë, folur biblikisht, Birëria e Jezusit nuk qëndron në të lindurit e tij nga e virgjëra Mari. Në të kundërtën, siç do ta shohim më vonë shumë qartë, lindja e tij e virgjër qëndron në Birërinë e tij. Para se Maria të ekzistonte, Biri i Perëndisë ishte. Jezusi nuk bëhet Biri i Perëndisë, por Biri i Perëndisë bëhet Jezus. Andaj Jezusi, si Bir, i flet Atit në këtë mënyrë “Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota” (Gjoni 17:5; shih po ashtu Kolosianëve 1:13-20) shumë përpara se të ishte Maria. Ky Bir i përjetshëm i Perëndisë hyri në kufizimet e kohës dhe të hapësirës me anë të fuqisë së Perëndisë duke punuar nëpërmjet të virgjërës Mari dhe ishte lindur si njeri, i quajtur Jezus, në Betlehem rreth nëntëmbëdhjetë shekuj më parë. 

Në të njëjtën mënyrë, Jezusi nuk është Bir i Perëndisë për shkak të veprave të tij të fuqishme dhe fjalëve të mrekullueshme. Në të kundërtën, ai i bën veprat e tij të fuqishme dhe flet në mënyrë të mrekullueshme pikërisht sepse është Biri i Perëndisë.

E vërtetë, së bashku mënyra e lindjes së Jezusit dhe natyra e veprave të tij ofrojnë evidencë rreth Jezusi të qenit Bir. Por asnjëra, vetë apo së bashku, nuk e ofrojnë origjinën apo bazën e të qenit të tij Bir. Ky dallim është i rëndësishëm.

Në të vërtetë, veprat e tij dëshmojnë për Birërinë e tij. “Biri” duhet t’i bindet “Atit” të tij, duke e bërë vullnetin dhe veprat e tij, të jetë si ai (Gjoni 8:37-47). Jezusi vetë i theksoi veprat e tij si dëshmi e të qenit Bir i Perëndisë: “Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni, por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë” (Gjoni 10:37). Jezusi i bëri veprat e Perëndisë, Atit të tij, duke vepruar si Perëndia.

Veç dëshmisë së veprave të tij, Jezusi kishte dëshmi tjetër që Ai është Biri i Perëndisë. Në momente të rëndësishme të jetës së tij, ai qe quajtur Biri i Perëndisë nga vetë Ati dhe nga të tjerët:

1.      Shpallja: Engjëlli Gabriel i tha të virgjërës Mari që biri i saj do të quhej “Biri i Perëndisë”. (Luka 1:32,35).

2.      Pagëzimi: Zëri i Perëndisë nga qielli deklaroi: Ky është Biri im, në të cilin jam kënaqur.” (Mateu 3:17)

3.      Shpërfytyrimi: Zëri i Perëndisë deklaroi sërish: Ky është Biri i m i dashur, dëgjojeni.” (Marku 9:17)

4.      Kryqëzimi: Centurioni romak dhe njerëzit e tij rrëfyen në momentin e kryqëzimit të Jezusit: “Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!” (Mateu 27:54)

5.      Ringjallja: Shën Pali shkruan që ringjallja e Jezusit nga të vdekurit e deklaroi atë të jetë “Biri i Perëndisë”. (Romakëve 1:4).

Përveç Perëndisë të tjerët, engjëlli i tij dhe ushtari romak shpallën që Jezusi është Biri i Perëndisë. Të çmendurit dhe madje shpirtrat e papastër i rrëfyen Jezusit: “Ti je Biri i Perëndisë.” (Marku 3:11; 5:7; Mateu 8:29; Luka 4:41; 8;28). Dishepujt e Jezusit po ashtu rrëfyen që ai është “Krishti (Mesia), Biri i Perëndisë së Gjallë” (Mateu 16:16; 14:33). Jezusi, si bir i vërtetë, preferoi t’i jepte lavdinë Atit të tij, porse ai po ashtu nuk do të mohonte Birërinë e tij (Mateu 26:63; Marku 14:62; Gjoni 10:36). E rëndësishme në këto dy pasazhet e para (dhe të tjerat) është afërsia e madhe në mes termave “Mesi” dhe “Bir i Perëndisë”. 

Është po ashtu interesante për të vënë re sa afër Birëria e Jezusit është e lidhur më vuajtjen e tij (Romakëve 5:10; 8:32; Galatasve 2:20; Hebrenjve 5:8; 6:6). Kur Jezusi qe uritur shumë pas një agjërimi të gjatë, tunduesi i tha atij: “Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë.” (Mateu 4:3). Kur Jezusi ishte në agoni në kryq, kalimtarët e përqeshën atë duke i thënë: “Në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!” (Mateu 27:40). Këta kalimtarë harruan që Jezusi është Bir i Perëndisë. Perëndia, kërkon dhe shërben dhe madje vuan për të shpëtuar ata që i do, njerëzit e botës. Ai nuk është biri i një mbreti tokësor, i cili duhet treguar fuqinë e tij dhe duhet ruajtur krenarinë duke u shfaqur triumfues në sytë e botës, sipas standardeve të botës. Ishte pikërisht sepse Ai është Bir i Perëndisë së dashurisë arsyeja që nuk do përdorte fuqinë e tij për qëllime egoiste por në mënyrë të përkryer e realizoi vullnetin e Atit të tij, i cili zgjodhi ta zbuloj Vetën dhe dashurinë e Tij ndaj gjithë njerëzve me anë të Shërbëtorit/Birit të Tij të përvuajtur.

Madje edhe një lexim i shkujdesur i vargjeve të cituara më lartë do të tregonte që përdorimi i termit “Bir i Perëndisë” në referencë ndaj Jezusit ndryshon në kualitet sikurse edhe në shtrirje nga përdorimet tjera të përmendura më parë. Të tjerët qenë zgjedhur me anë të hirit nga Perëndia si fëmijë të tij të birësuar; Biri është në Atin përjetësisht. Të tjerët iu bindën Atit, ndonëse jo në mënyrë të përkryer; Jezusi iu bind Atit në mënyrë të përkryer, pa mëkat (Hebrenjve 4:15). Bijtë duhet jenë si babai i tyre, por vetëm Jezusi ishte i përkryer si Ai në mirësinë e tij, duke e ofruar vetën plotësisht për të dhe njerëzit e tij. Ati ia ka besuar tërë gjykimin Birit vetëm, “që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin” (Gjoni 5:22,23). Vetëm Biri jep jetë siç jep jetë Ati (Gjoni 5:21). Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete” (Gjoni 5:26). Biri është i bindur ndaj Atit, me vullnetin e Atit që konkretizohet në Birin; por Ati po ashtu e dëgjon dhe i përgjigjet Birit (Gjoni 11:41-44). Si rrjedhim, ka ndarje të fuqisë, autoritetit, njohurisë, lavdisë dhe mbretërimit që shënon një marrëdhënie të barazisë dhe reciprocitetit në mes të Dyve që janë Një. Lidhur me njerëzit, engjëllin, mbretin, njerëzit besimtarë do të mund të thuhej: “Së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë. Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij.” (Hebrenjve 1:2)

Shumë prej përdorimeve të termit “bir” në Biblën e Shenjtë dhe në gjuhë të tjera mund të ofrojnë të dhëna ndaj kuptimit të termit “Bir i Perëndisë” në referencë ndaj Jezusit, por në fund të fundit përdorimi i termit, i adresuar direkt ndaj Jezusit, ngelet unik sikurse që edhe marrëdhënia që pasqyron është unike. Jezusi tha: “Unë dhe Ati jemi një.” (Gjoni 10:30).

Shpjegimi i kuptimit të Jezusit si Bir i Perëndisë

Si munden atëherë myslimanët (dhe të krishterët) të ndihmohen për të kuptuar Jezusin dhe domethënien e vërtetë të emrit të tij “Bir i Perëndisë”?

Në rend të parë, është e rëndësishme që Inxhilli i Shenjtë nuk e portretizon Jezusin duke shpallur rrëmujshëm vetën Bir të Perëndisë – dhe për faktin që ai është Mesia (Krishti). Dhe as ne nuk duhet, veçanërisht kur e dimë që termi është ofendues ndaj atyre me të cilët ne bisedojmë.

Hebrenjtë në fakt, ishin të njohur me titullin “Bir i Perëndisë”, siç ishin të njohur edhe me titullin “Mesi”. Ka dëshmi, ndonëse jashtë Biblës, që ata flisnin rreth Torës si “vajzën e Perëndisë”, duke e kuptuar si “zbulesë të Perëndisë”, pa i sakrifikuar bindjet e tyre monoteiste. Ata sidoqoftë kundërshtuan kur Jezusi e quajti veten “Mesi” dhe “Bir i Perëndisë”, duke i konsideruar rrëfimet rreth vetes së tij blasfemuese dhe meritore për kryqëzim (Gjoni 5:18; 10:33). Andaj nuk është vështirë për t’u habitur që Jezusi vetë e përdorte termin me modesti.

Së dyti, duhet të bëhet e qartë që Jezusi ishte njeri, shërbëtor dhe profet, njëjtë siç kanë insistuar myslimanët dhe njëjtë siç pohon Inxhilli i Shenjtë për Birin e Perëndisë të jetë bërë. Kur dishepujt e Jezusit e takuan për të parën herë Jezusin, ata e kuptuan atë të jetë njeri. Si mund ta kishin kuptuar ndryshe? Ata e dinin atë në nevojë të shoqërimit dhe lutjes. Ata e panë atë duke qarë. Ata e dëgjuan atë teksa lutej dhe e panë atë në veprim duke e nënshtruar vullnetin e tij vullnetit të Atit, duke e pohuar vullnetin e Atit të jetë buka e tij. Fjalët e tij: “Ati është më i madh se unë” qenë të kuptueshme për ta. Si ndryshe është dashur ata ta kuptonin? Apo ne, po të kishim qenë me të në tokë?

Vetëm atëherë kur shoqërimi i dishepujve me Jezusin qe thelluar, pasi ata i dëgjuan fjalët e tij dhe dëshmuan për veprat e tij, ata filluan të mrekulloheshin dhe të bënin pyetje rreth tij: “Kush është ky njeri?” “Nga vjen ai?” Ata e panë atë duke i ushqyer turmat, duke shëruar të sëmurët, të kontrollonte natyrën, t’i ngriste të vdekurit. Ata e dëgjuan atë duke i falur mëkatet, e dëgjuan duke folur në mënyrë të jashtëzakonshme lidhur me qëllimin e ardhjes së tij, lidhur me lidhjen e tij me Tempullin, Ligjin dhe profetët, lidhur me dashurinë e Perëndisë dhe marrëdhënien personale me Perëndinë. Qoftë edhe atëherë, kishte të atillë që e keqinterpretonin atë dhe veprat e tij, me paramendim apo ndryshe. 

Të kuptuarit e dishepujve rreth Jezusit dhe shërbesës së tij ishte gradual dhe në momente të caktuara një proces i dhimbshëm. Atë që ai kërkoi nga ta për të kuptuar rreth tij nuk qe thjesht një intelekt i mprehtë por një besim i fortë në Perëndinë dhe bindje ndaj vullnetit të tij, gatishmëri për vetë-ekzaminim, pendim dhe ndërrim mendjeje e zemre në dritën e shenjtërisë së Perëndisë dhe Ligjit të tij të Shenjtë, një hapje për të pranuar atë që ai tha për veten e tij, atë që ai e ka bërë, atë që do ta bënte dhe qëllimi prapa këtyre të gjitha. E vërtetë, Pjetri e rrëfeu Jezusin që Mesia dhe Biri i Perëndisë, por shumë shpejt vazhdoi ta kontradiktonte Jezusin duke e mohuar që Jezusi duhej të vuante dhe vdiste (Mateu 16:21,22), sikur që kishte mprehtësi më të thellë rreth vullnetit dhe udhëve të Perëndisë se sa Jezusi! (Gjoni 12:1-7). Gratë duket që e kishin kuptuar më mirë (Marku 14:1-9). Thënë shkurtë, të kuptosh Jezusin nuk është thjeshtë ta rrëfesh gojarisht atë, ta admirosh apo ta duartrokasësh atë;  por ta ndjekësh dhe t’i bindesh atij.

Në fakt, Inxhilli i Shenjtë qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme bën me dije që dishepujt e Jezusit nuk e kishin kuptuar thellë rëndësinë e Birërisë së tij apo shërbesës së tij përderisa nuk qe ngritur nga të vdekurit! Atëherë ndryshimi në mendjet dhe zemrat e tyre qe dramatik. A u ofron kjo të krishterëve çelësin për ta dëshmuar atë?  Ndoshta për të propozuar teknika rreth prezantimit të Jezusit ndaj myslimanëve apo kujtdo tjetër mund të jetë e dyshimtë, a ekziston këtu një model i procedurave në të cilën të krishterët do të mund të meditonin apo ta imitonin?

Së treti, është shpesh e nevojshme të sqarohet çfarë termi “Bir i Perëndisë” në referencë ndaj Jezusit nuk nënkupton. Siç u cek më sipër, askund nuk sugjeron Inxhilli i Shenjtë që Perëndia e merr Marinë si grua, që Ai lind dhe që si rezultat Jezusi është Bir i Perëndisë në bazë të lindjes së tij jo të zakonshme nga Maria. Perëndia nuk është hyjni mashkullor! Inxhilli, sikurse Kurani, flet për Jezusin si biri i të virgjëres Mari. Në arabisht Jezusi quhet ibnu'llah jo ualadu'llah. As që i sakrifikon Inxhilli pohimet fundamentale biblike që Perëndia është një. As që sugjeron që për të krishterët Jezusi, si Biri i Perëndisë, është një perëndi tjetër i lidhur me Perëndinë, apo që në një mënyrë Jezusi, si Biri i Perëndisë, është i dyti apo i treti nga tre perënditë, apo që disi Jezusi nga pozita e tij origjinale prej njeriu dhe shërbëtori ngritet në statusin e Birit të Perëndisë për t’i zënë vendin pastaj Perëndisë së vërtetë. Në asnjë mënyrë Inxhilli i Shenjtë pohimet e Birërisë së Jezusit nuk i transformon nga monoteizmi biblik në një formë të lehtë të politeizmit. Perëndia është një! Dhe Jezusi, Biri i Perëndisë, konfirmon që Perëndia është një! Vetëm pasi myslimanët dhe të krishterët të kenë vendosur këtë pikë të përbashkët, mund të vazhdojnë diskutimin lidhur me atë kush Perëndia është, çfarë bën ai për njerëzimin, çfarë pret nga njerëzimi dhe si Perëndia është një përderisa Jezusi është Biri i Perëndisë.

Së katërti, besimi i krishterë në Jezusin si Bir i Perëndisë thjeshtë pasqyron pohimin konstant, ngulmues dhe të qëndrueshëm që ai është Biri i Perëndisë. Në kundërshtim ndaj disa sugjerimeve myslimane, normalisht pa ndonjë evidencë, të krishterët përfshirë edhe Shën Palin, nuk e shpikën këtë titull. Për të krishterët të mohohet Birëria e Jezusit do të nënkuptonte që duhet shuanin të gjitha referencat ndaj këtij titulli në Inxhillin e Shenjtë. Nëse të krishterët do ta bënin këtë, atëherë ata do të ishin me të vërtetë fajtorë për korruptimin e Shkrimeve të tyre, njëjtë si shumë myslimanë ndjejnë (por jo Kurani) të krishterët të kenë bërë. Kurani u thotë të krishterëve që ata duhet gjykuar sipas Inxhillit (surja 5:46,47). Nuk përmban referencë ndaj Inxhillit të korruptuar apo të anuluar. 

Së pesti, dhe e lidhur mjaft me pikën e mëparshme, të krishterët duhet t’i inkurajojnë myslimanët për të lexuar Inxhillin e Shenjtë me një mendje dhe zemër të hapur dhe t’i krahasojnë bashkë portretet biblike dhe kuranore të Birërisë së Jezusit. Edhe nëse myslimani e mohon portretin biblik të Birërisë së Jezusit pasi ta ketë studiuar me seriozitet, ai do të duhej të kishte kuptuar të paktën kuptimin e Birërisë së Jezusit siç e portretizon Bibla. Pasi të jetë kuptuar kuptimi biblik i Birërisë së Jezusit nga ana e një myslimani, atëherë mund të krahasohen portretet biblike dhe kuranore të Jezusit si Bir i Perëndisë dhe të konsiderohen të ndryshme nga njëra tjetra. Kurani e mohon konceptin e Birërisë së Jezusit të cilin Bibla nuk e pohon asnjëherë dhe as që do të mund ta pohonte sepse me të vërtetë është e huaj për konceptin biblik. Sidoqoftë Bibla e pohon Jezusin të jetë Biri i Perëndisë – në kuptimin biblik të këtij termi!

Një mori referencash më të ngjashme me portretizimin islamik të Jezusit mund t’i ndihmonte më tej myslimanët në të kuptuarit e Jezusit si Biri i Perëndisë. Në mes të shumë emrave të përdorur për Jezusin në Kuran, tri në veçanti mund të ndihmojnë për të shpjeguar të kuptuarit krishterë të Birërisë së tij:

1. 'Abdu'llah -- "Shërbëtor i Perëndisë" (surja 19:30)

2. Resulu'llah -- "Apostull (i dërguar) i Perëndisë" (surja 4:157)

3. Kalimatu'llah --"fjala e Perëndisë" (surja 4:171)

1. Detyra kryesore e të birit është t’i bindet dhe të nderoj atin e tij, t’i shërbej atij lirshëm dhe plotësisht. Idetë e të qenit shërbëtor dhe bir janë afërsisht të lidhura në Biblën e Shenjtë. Kisha e krishterë i ka konsideruar çdo herë Këngët e Shërbëtorit në librin e profetit Isaia duke iu referuar Jezusit, Mesisë (Isaia 42:1-4; 52:13-53:12, etj.). Ky shërbëtor quhet “i zgjedhuri” nga Perëndia. “Fryma e Perëndisë sovran” është mbi të (Isaia 61:1). Ai i shëron të sëmurët dhe ndihmon të shtypurit. Ai madje vuan dhe mban fajin e të tjerëve dhe ishte shfajësuar nga Perëndia. Të krishterët e hershëm përdornin të njëjtën fjalë në Këngën e Shërbëtorit i referuar Jezusit si “Shërbëtori i shenjtë” i Perëndisë (Veprat 4:27,30). Ky Bir në fakt i shërbeu Atit, jo që ishte i detyruar por për hir të unitetit të tij me Atin dhe për shkak të dashurisë. Cili shërbëtor shërben më mirë së biri? Në Jezusin, biri dhe shërbëtori janë të bashkuara!

2. Një apostull apo i dërguar është “i dërguar” nga Perëndia për të shpallur mesazhin e tij. Jezusi gjithashtu thirret si “apostull” në Inxhillin e Shenjtë (Hebrenjve 3:1). Sipas të dhënave të ungjillit të Gjonit, për Birin është folur shpesh si “i dërguari”, dhe dy termet janë pothuajse sinonime. Ungjijtë tjerë po ashtu e përdorin këtë terminologji dhe termi “Atë” dhe “Dërguesi” janë praktikisht sinonime po ashtu (Mateu 10:10; Marku 9;37; Luka 9:48). Kanë ekzistuar shumë apostuj që qenë dërguar nga Perëndia. Por Apostulli/Biri nuk ishte vetëm i dërguar nga Perëndia; Ai ishte dërguar prej Perëndisë po ashtu. Ai erdhi nga lartë, prej vetë Perëndisë (Gjoni 8:23,42) dhe kështu ai quhet “Emanu-el”, “Perëndia me ne”. (Mateu 1:23).

Shëmbëlltyra e Jezusit e pronarit që mungon është shumë instruktive në tërë çështjen e Birërisë së Jezusit. Shërbëtorët e pronarit qenë të paaftë për të mbledhur qiranë e vreshtit që kishte mbjellur dhe pajisur tërësisht e që pastaj ua kishte lënë vreshtarëve. Më në fund, pronari vendosi të dërgonte të birin si përfaqësuesin e tij personal. Vreshtarët e vranë atë, duke menduar që në këtë mënyrë kishin arritur fitore dhe do të mund të merrnin në posedim pronën për vetën e tyre, por në fund ata humbën çdo gjë. (Mateu 21:33-43 etj). 

Qartë, pronari dhe biri në këtë shëmbëlltyrë përfaqësojnë Atin përkatësisht Birin. Çfarëdo tjetër të mësojë shëmbëlltyra, e bën të qartë dallimin në mes të “të dërguarve” dhe “të Dërguarit”, profetët dhe Birin, dhe fatin përfundimtar të “të Dërguarit”. Në të vërtetë, kjo shëmbëlltyrë është e çuditshme dhe jashtëzakonshme! Sidoqoftë nuk është më e çuditshme dhe më e jashtëzakonshme se Personi dhe ngjarja tek e cila drejton shëmbëlltyra. 

Në këtë mënyrë, është e qartë për çfarë qëllimi është dërguar Biri nga dhe prej Atit: ta zbuloj Atë, ta zbatoj planin e Tij të shpëtimit për njerëzimin, të shërbej si përfaqësuesi i Tij “personal” dhe ta përfshij Veten në proces (Gjoni 3:16; Romakëve 8:3,29; Galatasve 4:4-7). Duke zbatuar vullnetin shpëtues të Perëndisë, Biri unik duhej të fitonte shumë “vëllezër”, të cilët, duke e ndjekur Atë, do të bëheshin po ashtu “bijtë” e Perëndisë me anë të birësimit të Tij të hirshëm. Ata që e ndjekin Shërbëtorin/Birin e bindur të dërguar nga Ati janë po ashtu shërbëtorë/bij të bindur të Perëndisë, “myslimanë” të vërtetë (siç quhen ndjekësit e Jezusit në Kuran – surja 3:52; 5:111). Biri/Shërbëtori/i Dërguari/Shpëtimtari: të gjitha këto janë të lidhura afër në Biblën e Shenjtë.

3. Për myslimanët, njëjtë si për të krishterët, Fjala e Perëndisë është e përjetshme, siç është edhe Perëndia i përjetshëm. Është nëpërmjet Fjalës së tij që Perëndia vepron, duke krijuar dhe mbajtur universin dhe duke zbuluar vullnetin e tij. Nëse dikush do të duhej t’i referohej Fjalës së Perëndisë në mesin e myslimanëve, ata do të mendonin normalisht për Kuranin. Sidoqoftë, shumë prej tyre e dinë që Jezusi quhet “fjala (Fjala?) e Perëndisë” në Kuran. Ndonëse e konsiderojnë Jezusin vetëm si profet, a do të mundte ideja e tyre rreth të qenit të tij “fjalë e Perëndisë” të mbushet me kuptimin biblik të së njëjtës shprehje? Disa do të thonë, “Jo!” Për të tjerët kjo është një mënyrë e mirë për të sqaruar marrëdhënien e Jezusit me Atin, përfshirë edhe konceptin e Birërisë. Ashtu siç është Fjala e përjetshme e Perëndisë, ashtu është edhe Biri i përjetshëm i Perëndisë (Gjoni 1:14). Mund të ndihmojë po ashtu për t’i larguar keqkuptimet e rrënjosura thellë rreth kësaj marrëdhënie, duke i orientuar myslimanët të besojnë që të krishterët besojnë vetëm në një Perëndi, që ata nuk e ngrenë Birin si një Perëndi tjetër, as që e zëvendësojnë Perëndinë me Birin dhe as që e bëjnë njeriun Perëndi. 

Edhe në mes njerëzish ne mbështetemi mjaft në fjalën e dikujt për të ditur çfarë një person do dhe bën dhe çfarë personi është ai. Me anë të fjalës së tij njeriu e bën veten të njohur, duke sjellë jashtë atë që është brenda tij. Ne i besojmë Abdullahut sepse i besojmë fjalës së Abdullahut. Ne e bëjmë dallimin në mes të Abdullahut dhe fjalës së tij dhe ne e konsiderojmë të njëjtë Abdullahun me fjalën e tij. Si njëri dhe tjetra janë të vërteta.

Në një mënyrë shumë më ndryshe, më të lartë dhe të lavdishme, Fjala që rrjedh nga Perëndia e shpreh vullnetin e Perëndisë dhe veprimet e tij dhe po ashtu zbulon çfarë është Ai në një mënyrë të kuptueshme. Kështu Inxhilli i Shenjtë thotë:

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.... Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.... Askush s`e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t`Et [1], është ai që e ka bërë të njohur.” [2] (Gjoni 1:1-4, 14, 18).

Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni” (Marku 9:7)

“...së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit.” (Hebrenjve 1:2)

 [1.] aq intimisht është i lidhur me Atin. A do të duhej të kujtonim që edhe Kurani edhe Bibla flasin rreth “dorës së Perëndisë”, “fytyrës së Perëndisë”, etj?

[2.] "Ai e ka bërë atë të njohur": drejtpërdrejtë nga gjuha origjinale greke e Inxhillit të Shenjtë “Ai e ka sqaruar (interpretuar) atë”. Është njëjtë si të kishte zbuluar Perëndia zemrën e tij të fshehur nëpërmjet Fjalës së tij të mishëruar.

Nëse një mysliman mund të pranoj që Fjala e Perëndisë, e cila është e përjetshme si vetë Perëndia është i përjetshëm, mund të hyjë po ashtu në kufizimet e kohës dhe të hapësirës dhe të jetë në dispozicion në formën e një libri, a nuk është e mundshme të kuptoj po ashtu që kjo Fjalë mund të manifestohet në formë të një qenieje njerëzore? Nëse në botë Fjala e pakrijuar e Perëndisë në formën e krijuar të një libri mund të shpjegohet si e pakrijuar dhe e krijuar bashkë, atëherë a nuk mundet Fjala e Perëndisë në formën e krijuar të një qenie njerëzore të përshkruhet si e pakrijuar dhe e krijuar bashkë, nëse Perëndia i vetëm do ta dëshironte këtë? Fakti që Perëndia deshi ashtu haset pikërisht në dëshminë e Inxhillit të Shenjtë: vetë-manifestimi i përjetshëm i Perëndisë, Fjala e tij, Biri i tij ka hyrë në formën njerëzore si Jezusi, Mesia.

Jezusi si Biri i Perëndisë: Vetë-zbulimi i Perëndisë në tokë

Ne gjithë e dimë që Perëndia është krijuesi i të gjitha krijesave. Ne e dimë që ai vazhdimisht e drejton njerëzimin për t’i shumëfishuar shenjat në krijim dhe histori, të cilat si kundërveprim, e drejtojnë njerëzimin përtej këtyre shenjave tek më i larti Perëndi si krijues dhe gjyqtar i njerëzimit. Ne e dimë që periodikisht ai ka intervenuar në historinë e krijimit me anë të profetëve dhe apostujve dhe Shkrimeve. Ai ka ndërmjetësuar nëpërmjet tyre, përmes së cilëve i ka ofruar njerëzimit një model për jetën. Me siguri ne të gjithë pajtohemi po ashtu që ai i sjell dëshmi Vetes me anë të ndërgjegjes njerëzore. Në të gjitha këto mënyra Perëndia zbulon tek ne diçka në mënyrë që ne të dimë diçka rreth tij. Por a e zbulon Ai veten? A mund ta njohim ne atë?

Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve kritike gjendet në pohimet e mahnitshme të Jezusit:

Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t`ia zbulojë” (Mate 11:27)

“Jezusi i tha: ``Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?". A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua?” (Gjoni 14:9,10)

Engjëjt, personat dhe gjërat mund të na zbulojnë diçka rreth Perëndisë. Por vetëm Perëndia mund ta zbuloj Perëndinë! Duhet vetë Perëndia t’ia zbuloj vetën njerëzimit. Është dashur që vetë Perëndia t’ia zbuloj veten njerëzimit nën rrethana të krijuara në përputhje me të kuptuarit njerëzor. Çfarë mënyre tjetër më të mirë mund të ketë për zbuluesin e përjetshëm t’i zbulohet njerëzimit në tokë duke e veshur vetë-manifestimin e Tij në formën njerëzore!

Në Jezusin, Birin e tij të përjetshëm, zbuluesi bëhet po ashtu i zbuluari për ne. Kjo është përse Fryma e Shenjtë flet për Jezusin si Perëndia i manifestuar në mish. Në anën tjetër, Biri i zbuluar bëhet zbuluesi i Atit ndërmjet njerëzimit. “Besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua,” thotë Jezusi (Gjoni 14:1). Duke i thirrur dëgjuesit e tij të besojnë në të, Jezusi nuk është duke e shmangur besimin lehtë nga Perëndia; më saktë ai thjeshtë është duke pohuar që Perëndia, përherë më i Larti, është duke e zbuluar vetën nëpërmjet Jezusit me anë të prezencës së tij në Jezusin. 

Perëndia, zbuluesi dhe i zbuluari. Ne mund të pajtohemi që Perëndia krijon botën, cakton profetë, dërgon Shkrime dhe siguron ligje për udhëheqje njerëzore. Por a mundet ai vetë të hyjë tek krijimi i tij për të qenë me ne? A nuk do të ishte kjo e padenjë për të? A nuk do ta përulte veten me anë të kësaj? A nuk do të ishte në konflikt me sovranitetin e tij hyrja e tij në këtë botë, të mjegullonte lavdinë e tij dhe ta bënte atë më pak të madh?

Perëndia në të vërtetë është më i madhi. Atij vetëm i takon mbretëria, fuqia dhe lavdia. Ai vetë është sovran. Por ne mund të pyesim, cila është natyra e sovranitetit të Perëndisë? Dhe si e manifeston vete Perëndia natyrën e sovranitetit të tij në mënyrë që njerëzimi po ashtu të filloj të kuptoj natyrën e sovranitetit të tij? Thënë ndryshe, a do të duhej ne të kuptonim sovranitetin e Perëndisë thjeshtë si një sovranitet i një potenciali tokësor i lartësuar në shkallën më të lartë? A e manifeston vete Perëndia sovranitetin e tij ndaj krijesës së tij duke qëndruar i përmbajtur (i ftohtë) ndaj tyre? A e mbron Ai sovranitetin e tij duke e izoluar veten në një qetësi hyjnore, tejet i larguar nga vuajtja dhe mëkati i kësaj bote në vdekje? Apo ndoshta është e mundur që të kuptuarit tonë rreth sovranitetit të Perëndisë është në kundërshtim me të kuptuarit e tij rreth sovranitetit të tij; që mendimet e tij nuk janë mendimet tona dhe që udhët tona nuk janë udhët e tij, njëjtë sikur kishte deklaruar Perëndia me anë të profetit të tij Isaisë (Isaia 55:8)? A është e mundur që Perëndia jo vetëm t’i përgjigjet por edhe parashikon dëshirën e profetit të tij: “Oh, sikur t`i shqyeje qiejt dhe të zbrisje...!”? (Isaia 64:1).

Sipas Biblës, Perëndia është dashuri. Në perspektivën biblike, duke hyrë në këtë botë, Perëndia nuk e përul veten; më saktë ai e lartëson veten. Duke e vizituar botën, ai nuk e mjegullon lavdinë e tij; më saktë, ai e zmadhon atë në mes të njerëzimit. me anë të prezencës së tij në këtë botë, Ai nuk bëhet më i vogël, më saktë, Ai bëhet më i madh nëpërmjet lavdërimit tonë të madh. Duke qenë jo vetëm lart nesh por me ne në Jezusin Emanuel, Ai jo vetëm që vepron në pajtim me veten e tij; më tepër, Ai po bëhet Vetja e tij dhe po bëhet Ai që do të jetë.

Në fund, le ta përmbledhim kuptimin biblik të Jezusit si Biri i Perëndisë, duke mbajtur mend që 1. “Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm” (Ligji i Përtërirë 6:4) dhe 2. Inxhilli i Shenjtë duhet të lexohet për të kapur kuptimin e plotë të Birërisë së Jezuit nëpërmjet shërbimit të tij:

1. Biri unik i Perëndisë është nga Ati përjetësisht; me anë të tij Perëndia krijoi dhe mban universin. Si vetë-manifestim i Perëndisë Ai është vërtetë Perëndi.

2. Sepse Perëndia na deshi, Biri unik i Perëndisë hyri në kohë dhe hapësirë, qe lindur nga e virgjëra Mari dhe qe thirrur Jezusi Mesia. Si vetë-manifestim i Perëndisë në tokë në formën e njeriut Ai është po ashtu njeri plotësisht.

3. Biri ndan atributet e Atit; Ai është si Ati në veprat e fuqishme dhe vetë-dhënien e dashur.

4. Biri është dërguar nga/prej Atit si përfaqësuesi i Tij për të zbatuar aktin e tij të zbulesës dhe shpëtimit.

5. Biri është mesazhi personal i Atit, Perëndia që shpreh veten dhe dashurinë e tij në mënyrë të tillë që të shihet, dëgjohet dhe të kuptohet nga njerëzimi.

6. Biri i shërben Atit në mënyrë të përkryer; Ati është po ashtu përgjegjës ndaj vullnetit të Birit.

7. Ati dhe Biri janë Një në një marrëdhënie unike të reciprocitetit të plotë në mes të Pronarit dhe Shërbëtorit, Dërguesit dhe të Dërguarit, të Zbuluarit dhe të Zbuluesit.

8. Ata që besojnë në Shërbëtorin/Birin unik të dërguar nga Perëndia, “Lajmi i Mirë” (“Evangelio” apo “Inxhill”) dhe që e ndjekin atë, mund të bëhen “vëllezërit dhe “motrat” e tij; ata mund të birësohen, si fëmijë të bindur të Perëndisë.  

Bekimi, dhe lavdia, dhe dituria dhe falënderimi
dhe nderimi dhe fuqia dhe forca
janë te Perëndia ynë në shekuj të shekujve.
Amen!

(Zbulesa 7:12)


Përktheu: Luka
Artikulli në gjuhën angleze: “
Jesus as the Son of God