Njeriu i përkryer

Nga Samuel Green

Hyrje

Ky artikull është një studim i hollësishëm i temës së nënshtrimit në Bibël dhe Kuran. Kjo është një çështje e cila mbledh shumë gjëra të përbashkëta në Bibël dhe Kuran dhe si e tillë është një pikë ku të krishterët dhe myslimanët mund të pajtohen në shumë gjëra. Artikulli e hulumton nënshtrimin duke filluar nga koha e Adamit deri tek kthimi i Jezusit. Po ashtu e shtron pyetjen rreth asaj se çfarë nënkupton t’i nënshtrohemi Perëndisë në mënyrë të përkryer.

Përmbajtja

  • Njeriu i parë që u nënshtrua
  • Bijtë e Adamit
  • Profetët e Perëndisë
  • Njeriu Jezus
  • Njeriu i përkryer
  • Mbrojtje Jezusit
  • Çfarë nënkupton kjo e tëra për ne? 

Njeriu i parë që u nënshtrua

Në Kuran dhe Bibël thuhet qe Adami ishte njeriu i parë që Perëndia krijoi. Adami ishte fillimi i njerëzimit. Perëndia krijoi për Adamin gruan e tij të bukur, Evën. Të gjithë ne jemi pasardhës të Adamit dhe Evës.

Adami e quajti gruan e tij Evë, sepse ajo do bëhej nëna e gjithë të gjallëve. (Bibël, Zanafilla 3;20).

O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre. (Kuran, 49:13, 4:1)

Kurani dhe Bibla së bashku thonë që pasi Perëndia e krijoi Adamin, e vendosi atë në kopsht. Kopshti ishte një vend i përsosur, një vend në jetë ku çdo gjë sigurohej ndërkohë që Adami jetontë në nënshtrim perfekt ndaj Perëndisë. Megjithatë, situata nuk qëndroi e tillë. Adami i dëgjoi gënjeshtrat e Satanit dhe dështoi t’i nënshtrohej Perëndisë. Adami hëngri nga fruti që Perëndia i kishte urdhëruar të mos e hante. Adami mëkatoi.

E Ne i thamë: "O Adem, ti dhe bashkëshortja juaj banoni në Xhennet dhe hani lirisht nga frutat e tij kah të doni, po mos iu afroni asaj bime (peme) e të bëheni zullumqarë (të vetvetes suaj). Po djalli i bëri që ata të dy të mashtrohen në atë (pemë ose Xhennetin) dhe i nxori ata nga ajo (e mirë) që ishin në te, e Ne u thamë: "Zbritni (dilni), jeni armik i njëri-tjetrit, e ju deri në një kohë në tokë keni vendbanim dhe dëfrim". (Kurani, S.2:35-36)

Ata të dy thanë: "Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë (i dëmtuam) vetvetes sonë, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!" (All-llahu) Tha: "Zbritni, jeni armik i njëri-tjetrit. Në tokë ju e keni vendqëndrimin (vendbanimin) dhe përjetim deri në një kohë. Tha: "Në të (në tokë) do të jetoni (do të gjallëroni), në të do të vdesni (do të varroseni) dhe prej saj do të nxirreni (do të ringjalleni). (Kuran, 7:23 – 25)

Sa serioz ishte mëkati i Adamit? Ishte shume serioz sepse qe mëkati i parë dhe me anë të kësaj gjendja e nënshtrimit të plotë të Adamit ishte humbur (S. 2:35, 7:23). Ne mund ta dimë po ashtu sa serioze një shkelje mund të jetë duke konsideruar gjykimin e Perëndisë mbi të. Një dënim i madh do të nënkuptonte një mëkat të madh dhe një dënim i vogël do të nënkuptonte një mëkat të vogël. Vargjet e sipërme të Kuranit dëshmojnë se ekzistojnë katër aspekte të gjykimit të Perëndisë:

  1. Perëndia përjashtoi Adamin dhe Evën nga kopshti/parajsa dhe nga të gjitha të mirat tjera. 
  2. Adami dhe Eva do të luftonin tani mes tyre (2:36, 7:24)
  3. Adami dhe Eva nuk do të posedonin më jetën e përjetshme në parajsë por do të vdisnin në tokë (7:25).
  4. Adami dhe Eva nuk e kanë më atë marrëdhënie të afërt me Perëndinë në kopsht.

Kjo çështje është serioze dhe ky gjykim i Perëndisë na godet ne të gjithë. Është për shkak të mëkatit të Adamit arsyeja pse ka përleshje sot në botë. Është për shkak të mëkatit të Adamit përse njeriu vdes. Është për shkak të mëkatit të Adamit që ne të gjithë dështojmë t’i nënshtrohemi në mënyrë të përsosur Perëndisë. Çdo kush që mendon se mëkati i Adamit ishte vetëm një ofendim i vogël nuk e ka konsideruar në mënyrë të duhur asnjëherë Kuranin apo Biblën.

Kurani po ashtu dëshmon që mëkati kishte ndikim të fuqishëm tek Adami sepse e përshkruan mëkatin e tij ardhshëm jashtë kopshtit.

Është Ai pra që të krijoi ne nga një shpirt i gjallë dhe e bëri nga ai gruan e tij që ai të pushonte në të. Pastaj, kur ai e mbuloi atë, ajo u ngarkua me një barrë të lehtë dhe ashtu vazhdoi me të; por kur u bë e rëndë ajo thirri Perëndinë: "Nëse na jep një (fëmijë) të mirë, ata (pa të meta), ne do të jemi falënderues ndaj Teje". Pasi që atyre të dyve ju dha (fëmijë) të mirë, ata (fëmijë e pasardhës) i përshkruan shokë në atë që iu dha. I pastër është All-llahu nga ajo që ia përshkruajnë. A i përshkruajnë shok atë çka nuk mund të krijojë asnjë send, e ata (idhujt) vetë janë të krijuar. Ata (idhujt) nuk mund t'ju sjellin atyre ndonjë ndihmë e as veten e tyre ta ndihmojnë. (Kurani, S: 189-192).

Në këtë mënyrë, Adami nuk është vetëm babai biologjik i ne të gjithëve, ai është po ashtu babai i mëkatit, të përshkrimit shok Perëndisë (shirk).

Bijtë e Adamit

Në ç’vend je lindur ti? Ti mund të përgjigjesh duke thënë në Evropë, në Lindje të Mesme, Afrikë, Azi apo diku tjetër. Por ku thotë Bibla apo Kurani që je lindur? Që të dy këto libra thonë që je lindur kopshtit/parajsës. Nëse Adami do t’i ishte bindur Perëndisë ne do të ishim lindur në kopsht dhe do të ishim të përsosur, por kështu ne jemi lindur jashtë. Edhe pse ne jetojmë jashtë kopshtit Perëndia na thërret edhe më tutje për t’iu nënshtruar atij. Dëshira jonë do të duhej të ishte t’i nënshtrohemi Perëndisë në mënyrë të përkryer, por çfarë nënkupton kjo se duhet bërë?

Ç’ka nëse një njeri beson se ka një Perëndi, a do të ishte kjo një nënshtrim i përkryer? Jo, kjo nuk mjafton sepse Satani dhe demonët e tij (xhinët) po ashtu e besojnë këtë.

Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen. (Bibla, Jakobi 2:19).

Çfarë nëse një njeri rrëfen që Perëndia ka dërguar profetë, a do të ishte kjo nënshtrim i përkryer ndaj Perëndisë? Jo, kjo nuk do mjaftonte sepse demonët i pranojnë profetët e vërtetë.

Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë, duke thënë: “Ç’ka midis nesh dhe teje, O Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di kush je: I shenjti i Perëndisë.” (Biba, Marku 1:23-24)

Ç’ka nëse një njeri ka një kopje të fjalës së Perëndisë dhe e lexon atë, a i janë nënshtruar në mënyrë të përkryer Perëndisë ata? Jo, sepse ka shumë hipokrit religjioz që e bëjnë këtë. 

Atëherë ç’ka është nënshtrimi i përkryer ndaj Perëndisë? T’i bindesh në mënyrë të përkryer Perëndisë do të thotë t’i bindesh në mënyrë të përkryer fjalës së tij në bindje. Ky është nënshtrimi, ta përulësh veten para Perëndisë dhe t’i bindesh asaj që thotë. Jezusi e sqaron natyrën e bindjes për ne.

(Jezusi tha) Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: "Mos vrisni"; dhe: "Kushdo që vret do t`i nënshtrohet gjyqit"; por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t`i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: "Rraka", do t`i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t`i thotë: "Budalla", do t`i nënshtrohet zjarrit të Gehenës. (BIbla, Mateu 5:21-22).

Këtu Jezusi na tregon se çka me të vërtetë nënkupton t’i nënshtrohesh urdhërimit të Perëndisë, “Mos vrit”. Ti mund të mendosh se e ke mbajtur këtë urdhërim, por çfarë thotë Jezusi për ty? Jezusi dëshmon që vrasja fillon në zemrat tona kur ne zemërohemi me njerëz. Nga zemërimi i zemrës sonë ne i ofendojmë njerëzit, me zë të lartë apo vetëm për vete. Ndoshta nuk e kemi mbytur dikë, por sidoqoftë ne e ndajmë zemrën e njëjtë me dikë që ka vrarë. Pra, a e ke mbajtur këtë urdhërim? Prej së jashtmi, ndoshta e ke mbajtur. Por çfarë me zemrën tënde? Kur Perëndia e gjykon zemrën tënde çka do të sheh ai?

Ja edhe një shembull tjetër nga Jezusi.

Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën". Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet. (Bibla, Mateu 5:27-28)

Sërish ne shohim që Perëndia shikon në zemrat tona, dhe ajo çfarë Zoti thotë në lidhje me këto dy urdhërime vlen me të gjitha urdhërimet e Perëndisë. T’i nënshtrohesh me të vërtetë Perëndisë nuk është diçka që ne e bëjmë vetëm nga jashtë; kjo duhet bërë edhe nga brenda. Të dështosh të bësh këtë është të mëkatosh. Nëse do të donim t’i nënshtroheshim Perëndisë, Jezusi thotë nuk duhet ulur standardet. Ne nuk duhet justifikuar duke thënë që mëkati ynë është vetëm një rrëshqitje apo gabim apo një aksident.

Kush mund të thotë: "Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im"? (Bibla, Fjalët e Urta 20:9).

Sikur All-llahu t'i dënonte njerëzit (zullumqarë) për shkak të mizorisë së tyre, nuk do të linte mbi të (tokë) asnjë gjallesë ... (Kurani, 16:61)

Profetët e Perëndisë

Perëndia nuk e ka braktisur këtë botë. Për hir të mëshirës së tij ai i zgjodhi disa bij të Adamit për të qenë profet. Profetët e Perëndisë e folën fjalën e Perëndisë. Nëpërmjet profetëve të tij Perëndia na nxit të kërkojmë faljen e tij, njëjtë sikurse babai ynë Adami e bëri. Profetët ishin njerëz të mëdhenj që kishin vuajtur për shkak të fjalës së Perëndisë.  Ne mund të inkurajohemi nga shembujt e tyre ndërkohë që ne kërkojmë të jetojmë për Perëndinë. Profetët ishin, sidoqoftë, bij natyrorë të Adamit ashtu që rrëfenin mëkatet e tyre dhe kërkonin mëshirën e Perëndisë [1]. Në këtë mënyrë po ashtu, ata janë një shembull i mirë për ne. Merrni parasysh shembullin e Abrahamit: 

Zoti që më krijoi, Ai më udhëzon mua, Dhe Ai që më ushqen dhe më jep të pijë, Dhe kur të sëmurem Ai më shëron, Ai më bën të vdesë e mandej më ngjall, Ai tek i cili kam shpresë se do të m'i falë mëkatet e mia në ditën e gjykimit. (Kurani, 26:78-82).[2]

Apo konsideroni shembullin e Moisiut:

Ai tha: "Zoti im, unë e ngarkova veten e Ti më fal mua!" Dhe Ai ia fali, se Ai është që fal shumë, është mëshirues. (Kurani, 26:16)

Davidi është poashtu një shembull i një sjelljeje me frikë ndaj Perëndisë.

Ai (Davudi) tha: "Ai ka bërë padrejtë ndaj teje me kërkimin e deles tënde (për t'ia bashkuar) te delet e veta. Është e vërtetë se shumica prej ortakëve i bëjnë padrejtë njëri-tjetrit, me përjashtim të atyre që kanë besuar dhe punuar vepra të mira, por të tillë janë pak!" e Davudi mendoi se Ne kemi vënë në sprovë atë, andaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra i përkulur dhe u pendua. (Kurani, 38:24-25)

Atëherë Davidi i tha Nathanit: "Kam mëkatuar kundër Zotit". Nathani iu përgjigj Davidit: "Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur. (Bibla, 2 Samueli 12:13)

Muhamedit po ashtu i ishte kërkuar t’i rrëfente mëkatet e tij.

Atëherë, dije se nuk ka Zot tjetër pos Allahut, kërko falje për mëkatin tënd, për të besimtarëve e të besimtareve, All-llahu e di për lëshimet tuaja (për vepra) dhe për vendin tuaj. (Kurani, 47:19) [3]

Në këtë mënyrë Muhamedi u lut:

Oh Zoti im! Fale mëkatin dhe injorancën time dhe tejkalimin e kufijve të drejtësisë në të gjitha veprat e mia dhe ti i di këto më mire se unë. O Allah! Fali mëkatet e mia, ato që i bëj me qëllim apo nga injoranca ime apo (pa) ose me seriozitet, dhe unë rrëfej që të gjitha mëkatet e tilla bëhen nga unë. O Allah! Fali mëkatet e së kaluarës dhe të së ardhmes të cilat i kam bërë haptazi apo fshehtas. (Sahih Al-Buhariu: vol. 8, libri 75, nr. 407, 408) [4]

Sepse nuk ka dallim; sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë (Bibla, Romakëve 3;22-23).

Kurani dhe Bibla na mësojnë së bashku që të gjithë pasardhësit e Adamit, që nënkupton, i tërë njerëzimi, kanë mëkatuar në një mënyrë apo tjetër. Asnjë njeri nuk i është bindur në mënyrë të përkryer Perëndisë në asnjë religjion.

Njeriu Jezus

Njeriu Jezus është i veçantë në Bibël dhe në Kuran sepse që në të dy librat është përshkruar që vetëm ai është lindur nga e virgjëra.

Ai (Xhibrili) tha: "Unë jam vetëm i dërguar (melek) i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber)". Ajo tha: "Si do të kem unë djalë, kur mua nuk më është afruar njeri (nuk jam e martuar), e as nuk kamë qenë e pamoralshme".  Ai (Xhibrili) tha: "Ja, kështu ka thënë Zoti yt; ajo për Mua është lehtë. (Kurani 19:19-21)

Edhe Merjemen të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e Ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt e ajo i besoi fjalët e Zotit të saj dhe librat e Tij dhe ishte e devotshme. (Kurani 66:12).

Tani lindja e Jezus Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Frymën e Shenjtë. Atëherë Jozefi, i fejuari i saj, i cili ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas. Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjëll i Zotit dhe i tha: ``Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç`është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t`i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre. (Bibla, Mateu 1: 18-21).

A e keni pyetur veten ndonjëherë përse Jezusi i vetmi qe lindur nga një e virgjër me anë të Frymës së Shenjtë? Çfarë na zbuloi Perëndia duke e bërë këtë? Ngjizja e Jezusit është shumë e ndryshme nga mënyra si ne u ngjizëm dhe shumë e ndryshme nga mënyra si profetët tjerë qenë ngjizur. Sidoqoftë, Jezusi është pasardhës mbinatyror i Adamit sepse ai ishte lindur nga një e virgjër. Jezusi është më tepër se një pasardhës  natyror i Adamit; ai është në fakt sikurse Adami kur ishte krjiuar në fillim.

Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) te All-llahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha "Bëhu!" ai u bë. (Kurani 3:59).

Njëjtë si Adami kishte një fillim mbinatyror të jetës, ashtu njëjtë Jezusi kishte një fillim mbinatyror si njeri. Lindja e virgjër demonstron fuqinë e Perëndisë për ta bërë një Adam të ri, një fillim të ri për njerëzimin. Meqenëse Jezusi është Adami i ri, kjo ngreh një pyetje të rëndësishme. A është Jezusi si Adami kur ai ishte në kopsht i pamëkat? Apo Jezusi është si Adami pasi ai mëkatoi?

Njeriu i përkryer

Siç e pamë, Kurani përshkruan që edhe profetët e mëdhenj rrëfyen mëkatet e tyre; sidoqoftë, nuk e përshkruan as edhe një here Jezusin të rrëfej mëkatet e tij.

Në lidhje me Jezusin, Muhamedi [5] tha:

Përshkruar nga Ebu Hureira: Profeti tha, “Sa herë që një njeri lindet, atë e prek Satani në të dy anët e trupit me dy gishtërinjtë e tij, përveç Jezusit, birit të Merjemës, të cilin Satani u përpoq ta prekte por dështoi”. (Sahih Al-Buhariu: vol. 4, libri 54, nr. 506).  

Kurani po ashtu e deklaron përsosmërinë e Jezusit kur thotë që ai është e vetmi person që është i bekuar çdo herë.

Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqatë për sa të jem gjallë! (Kurani 19:31)

Në çdo moment të jetës së tij Jezusi ishte i bekuar (dobiprurës). Kjo fjalë arabe i bekuar (Mubarak) është përdorur për të përshkruar vetëm Jezusin dhe nuk është përdoru për askënd tjetër. Në fakt kjo fjalë përdoret në vende të tjera për të përshkruar gjëra që Kurani i konsideron të përkryera. Kështu Kurani vetë thirret i bekuar (6:93, 156), shtëpia e parë e lutjes është quajtur e bekuar (e dobishme) (3:96) dhe pema e ullirit që siguron vaj për shembullin e dritës së Perëndisë quhet e bekuar (24:35), porse Jezusi është i vetmi person që është i bekuar në këtë mënyrë të përkryer.

Ky Jezus i përkryer jetoi jetën të cilën Adami është dashur ta jetonte. Adami e dëgjoi Satanin por Jezusi e mohoi atë.

Sërish, djalli e mori atë në një mal shumë të lartë dhe i tregoi atij të gjitha mbretëritë e botës dhe madhështitë e tyre. Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre, dhe i tha: “Unë do të t`i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron`”. Atëherë Jezusi i tha: ``Shporru, Satan, sepse është shkruar: "Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij". Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.” (Bibla, Mateu 4:8-11).

Bibla qartë zbulon që Jezusi ishte i përkryer dhe i pamëkat.

Kurse mua, duke qenë se ju them të vërtetën, nuk më besoni. Cili nga ju më bind për mëkat? Nëse flas të vërtetën, përse nuk më besoni? Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë”. (Bibla, Gjoni 8:45-47)

Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij. (Bibla, 1 Pjetri 2:22).

Dhe në të nuk ka mëkat. (Bibla, 1 Gjoni 3:5)

Dhe ai që më ka dërguar është me mua; Ati s`më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë. (Bibla, Gjoni 8:29).

Mbrojtje Jezusit

Ka ca njerëz që nuk e pëlqejnë idenë që Jezusi i ishte nënshtruar në mënyrë të përkryer Perëndisë. Ata pohojnë që Jezusi mëkatoi dhe rrëfeu mëkatet e tij dhe që kjo është përshkruar në Bibël. Është me rëndësi që t’i ekzaminojmë tani këto shkrime.

Disa njerëz thonë që lutja që Jezusi i mësoi dishepujt e tij dëshmon që Jezusi i rrëfeu mëkatet e tij. Ja ku është lutja; në mënyrë të përgjithshme quhet Lutja e Zotit:

(Jezusi tha) Ju, pra, lutuni kështu:
Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.
Ardhtë mbretëria jote.
U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.
Bukën tonë të përditshme na e jep sot.
Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.
Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu. (Bibla, Mateu 6: 8-11).

Kjo është me të vërtetë një lutje e shkëlqyeshme. Është një lutje që të krishterët janë lutur rregullisht që nga koha e Jezusit. Por vini re që Jezusi thotë “ju” pra lutuni kështu. Dishepujt e Jezusit duheshin mësuar si të luteshin dhe Jezusi u siguroi këtë mësim atyre. Jezusi mësoi që ne duhet t’ia rrëfejmë mëkatet/borxhet tona Perëndisë në lutje. Ky shkrim nuk shënon që vetë Jezusi rrëfeu mëkatin e tij; por përshkruan që ai u kishte thënë dishepujve të tij t’i rrëfenin mëkatet e tyre kur ata luten. Prandaj Lutja e Zotit nuk dëshmon që Jezusi rrëfeu mëkatin e tij.

Një shkrim tjetër që thuhet se dëshmon se Jezusi ishte mëkatar është Marku 10:17-19.

Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: ``Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?``. Dhe Jezusi i tha: ``Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde"``. (Bibla, Marku 10:17:19).

Konteksti I fjalëve të Jezusit është që një djalë i ri i afrohet atij dhe e quan atë MËSUES I MIRË. Ai pastaj e pyet Jezusin si duhet pranuar jetën e përjetshme. Jezusi e sfidon të riun duke i thënë që kush është i mirë për ta dhënë këtë mësim. Dhe përgjigja që Jezusi e jep është që vetëm Perëndia është i mirë për ta dhënë këtë mësim. Andaj, Jezusi e drejton të riun drejt fjalës së Perëndisë (Torës) për përgjigje. Shkrimet nuk janë duke e diskutuar statusin moral të Jezusit por janë një përkujtues nga Jezusi që çdo mësim i mirë vjen nga Perëndia dhe ne duhet të përqendrohemi në fjalën e Perëndisë që tashmë e kemi. Ky shkrim nuk dëshmon që Jezusi është një mëkatar. 

Siç u dëshmuar më parë, Bibla qartë zbulon që Jezusi është pa mëkat dhe Kurani së bashku me hadithin e përkrahin këtë. Shkrimet të cilët disa njerëz mendojnë se tregojnë që Jezusi ishte mëkatar nuk e dëshmojnë këtë aspak kur lexohen sipas kontekstit. Fjala e Perëndisë e ka vetëm një mesazh përsa i takon drejtësisë së Jezusit – ai qe i pamëkat. Jezusi është si Adami, njeri. Por ai ndryshon nga Adami në atë që ai nuk mëkatoi. Jezusi e jetoi jetën që Adami do të duhej ta jetonte. Adami nuk u bind në luksin e kopshtit por Jezusi u nënshtrua në mënyrë të përkryer në sprovat e tij në tokë. Jezusit nuk i ishte dhënë asnjë here ndonjë privilegj i veçantë [7] por kërkohej nga ai t’i bindej standardeve të njëjta si ne. Jezusi jetoi jetën që ju dhe unë është dashur dhe ai e bëri këtë për ne. Dhe pikërisht për shkak se mëkati i Adamit në kishte prekur të gjithëve, ashtu po ashtu drejtësia e Jezusit mund të veproj tek ne.

Çfarë nënkupton kjo e tëra për ne?

Së pari, nënkupton që Jezusi është shembulli më i mirë për ata që e kërkojnë Perëndinë dhe e presin mbretërinë e tij. Jezusi është njeriu i përkryer dhe Perëndia i ka dhënë atij rolin e modelit më të mirë si njeriu që ka respektin më të madh për Perëndinë. Prandaj ne duhet modeluar jetët tona sipas Jezusit.

Së dyti, ne duhet ta vlerësojmë rolin e rëndësishëm që Jezusi ka në planin e Perëndisë për botën [8]. Jezusi është njeri i përkryer me anë të së cilit Perëndia do të përfundoj planet e tij për botën. Të krishterët dhe myslimanët së bashku besojnë kur Jezusi kthehet ai do të sjellë ringjalljen dhe gjykimin. Perëndia nuk i ka dhënë këtë pozicion të veçantë askujt tjetër.

E ai (Isai) është parashenjë e momentit (e kijametit), pra kurrsesi mos dyshoni në të (në katastrofë) dhe ecni pas meje kjo është rrugë e drejtë. (Kurani, 43:61).

Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin. (Bibla, 1 Korontasve 15:21-22).

Kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet, në një zjarr flakërues, për t`u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. (Bibla, 2 Thesalonikasve 1:7-8).

Së treti, kthimi i Jezusit duhet të jetë shpresa jonë. Sepse kur Jezusi kthehet respekti ndaj Perëndisë nuk do jetë më si e Adamit por si e Jezusit.

Kështu edhe është shkruar: ``Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë. Por frymërori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymërori. Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli. Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët; dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët. Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit. (Bibla, 1 Korintasve 15:45-49).

Së fundi, nënkupton që ne dijmë për çfarë të lutemi.

Perëndi i Plotfuqishëm ne të falënderojmë për Jezusin që dërgove dhe që ai jetoi jetën në mënyrë të përkryer të cilën ne dështuam ta jetojmë. Të lutem na ndihmo të jetojmë si Jezusi dhe të mësojmë më tepër rreth tij. Të lutemi ta kthesh Jezusin prapa në tokë në mënyrë që të vijë Dita dhe madhështia jote të njihet në mbarë botën dhe që njerëzit e tu të kenë pjesë në drejtësinë e Jezusit. Amen.

Futnotat
[1] M. Anderson,
Jesus The Light and Fragrance of God, Part 2: The Christ of History, Caney, U.S.A: Pioneer Book Company, 1995, fq. 2-4.
[2] Poashtu 14:41.
[3] Poashtu 4:106, 40:55, 48:1-2, 94:1-3, 110:3. Sura 9:43 dhe sura 80 i përshkruajnë këto shkelje.
[4] Poashtu Sahih al-Bukhari: vëll. 8, kap. 75, nr. 319 dhe vëll. 5, kapitulli 59, nr. 715
[5] Anderson, Pjesa 2, p. 5
[6] Anderson, Pjesa 2, fq. 7-9
[7] 33:49-50
[8] M. Anderson,
Jesus The Light and Fragrance of God, Part 1: The Reappearing of Jesus, Caney, U.S.A: Pioneer Book Company, 1995.

 

   Përktheu: Luka

   *Titulli origjinal i këtij artikulli në anglisht është: "The perfect man"

Autori i mirëpret komentet tuaja nëpërmjet emailit në gjuhën angleze.

Christian-Muslim Discussion Papers © 2004