Determinizmi ekstrem në Islam

Shkruan: Ibrahimi

Duke qenë se marrëdhënia në mes Perëndisë dhe njeriut në islam është e tipit Pronar – skllav (rob), kjo pamje e Perëndisë në Kuran ka shkaktuar tensione në teologjinë islame për sa i takon sovranitetit absolut të Perëndisë dhe zgjedhjes (vullnetit) së lirë. Islami mëson paracaktimin absolut të së mirës dhe të keqes, që të gjitha mendimet tona, fjalët dhe veprat, të mira apo të këqija, janë parashikuar, paracaktuar dhe urdhëruar që nga përjetësia. Perëndia është ‘Kaderi’, apo ‘Përcaktimi’ i të gjitha gjërave dhe nënshtrimi i çdo gjëje mbulon tërë njerëzimin dhe tërë historinë. Natyra është subjekt i nënshtrimit të tij dhe çdo gjë që ekziston – një lule në pranverë apo një vepër e një vrasësi, një fëmijë i porsalindur apo mosbesimi i një mëkatari, është nga ai dhe për të. Ndonëse dijetarë të ndryshëm myslimanë përpiqen të minimizojnë determinizmin ekstrem në islam, ata prapëseprapë nuk mund ta mohojnë faktin që Kurani bën deklarime të shpeshta që Perëndia udhëzon dhe vë në rrugë të drejtë ata që do dhe humb dhe devijon nga rruga ata që do. Ky varg më është cituar shpesh nga miqtë e mi myslimanë, duke aluduar në atë që konvertimi im në të krishterë është vepër e qëllimshme e Perëndisë dhe se humbja ime është e determinuar nga ai.

Andaj qëllimi i këtij artikulli është për të vënë në pah që kjo doktrinë apo forma ekstreme e paracaktimit ballafaqohet me probleme në disa rrafshe.

  1. Problemi logjik i determinizmit ekstrem -autorë të ndryshëm pohojnë që doktrina kuranore e paracaktimit është shumë eksplicite ndonëse jo shumë logjike. Për shembull, Perëndia është ai që i ‘largon njerëzit nga udha e drejtë’ sikurse edhe është ai që i ‘udhëzon’. Ai është ai që ‘sjell dëm’ sikurse bën edhe Satanai. Ai është i përshkruar edhe nga termat si ‘Rrëzuesi’, ‘Detyruesi’, ‘Arroganti’ – të gjitha këto, kur të përdoren në kontekstin njerëzor kanë domethënie të keqe. Dijetarët myslimanë përpiqen të qetësojnë situatën duke nxjerrë në pah që këto kontradikta nuk janë në natyrën e Perëndisë por në sferën e vullnetit të tij. Nuk burojnë nga esenca por nga veprimet. Mirëpo një gjë dihet që veprimet rrjedhin nga natyra dhe duhet të ketë diç në natyrë-esencë që korrespondon me veprimin. Autorë të tjerë përpiqen të bëjnë dallimin në mes të asaj çfarë Perëndia bën dhe çfarë ai lejon, gjë që do ta sqaronte situatën. Mirëpo kjo nuk gjendet dhe nuk kuptohet nga vetë Kurani.
  2. Problemi moral – ndonëse shumë shkencëtarë myslimanë dëshirojnë të mbrojnë përgjegjësinë njerëzore, ata mund ta bëjnë këtë vetëm me ndryshimin e vargjeve kuranore. Konsideroni vargjet kuranore 7:178-179; “Atë që Allahu e udhëzon, ai është në rrugë të drejtë, e atë që e humb, ata janë të dëshpëruarit. Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për xhehenem…” Sura 36:7-10, “Për Zotin tashmë ka marrë fund vendimi kundër shumicës së tyre, andaj edhe ata nuk besojnë…Dhe për ata është e njëjtë, a ua tërhoqe vërejtjen a nuk ua tërhoqe, ata nuk besojnë.” Është tejet vështirë për të kuptuar si, pas një pikëpamje të tillë, njeriu të mbajë ndonjë lloj përgjegjësie.
  3. Problemi teologjik – problemi tjetër me këtë pikëpamje të ashpër të determinizmit sovran të Perëndisë ndaj të gjithë ngjarjeve është ky që e bën Perëndinë autor të së keqes. Në favor të kësaj ia vlen të përmenden në pika të shkurtra ngjarjet nga dy hadithe, të cituara nga Al Buhariu: Allahu në momentin e ngjizjes e dërgon engjëllin dhe i kërkon këto gjëra për t’i shkruar: sigurimin e gjërave, moshën, dhe nëse do të jetë fatkeq (i mjerë) apo i bekuar në jetë, e pastaj shpirti i jepet atij… Pastaj, ai mund të bëj vepra të njerëzve të ferrit deri sa të jetë pranë zjarrit të ferrit një kubik, por pastaj e shkruara (atë që Allahu e kishte caktuar engjëllin për të shkruar) i paraprin dhe ai i bën veprat e njerëzve të parajsës dhe hyn në të; dhe njeriu që bën vepra të njerëzve të parajsës mund të gjendet një kubik apo dy nga parajsa por pastaj e shkruara i paraprin dhe ai më pas i bën veprat e njerëzve të ferrit dhe futet në të. Në hadithin tjetër mësojmë kur Adami dhe Mojsiu argumentuan me njëri-tjetrin. Mojsiu i kishte thënë Adamit se ti na ke zhgënjyer dhe na ke nxjerrë jashtë parajse. Pastaj në mes tjerash Adami i përgjigjet Mojsiut: A po më fajëson për veprimin të cilin Allahu e kishte shkruar në fatin tim katërdhjetë vjet para krijimit tim?...

Determinizmi ekstrem është i shprehur në deklaratën e besimit mysliman ku dhe citohet që Perëndia më i Larti është Krijuesi i të gjitha veprimeve të krijesave të tij, qoftë besimit apo mosbesimit, bindjes apo mosbindjes. Çdo gjë rrjedh nga vullneti i Perëndisë, urdhërimi dhe gjykimi i Perëndisë. Është detyrë e çdo myslimani ta besojë këtë. Nëse Perëndia do ta afrojë dikë pranë vetës atëherë ai do t’i ofrojë atij mëshirën që do ta detyrojë atë person të bëjë vepra të mira. Nëse Perëndia do të mohojë dikë dhe ta turpërojë atë person, atëherë ai do të krijojë edhe mëkatin tek ai. Perëndia krijon të gjitha gjërat, të mirat dhe të këqijat. Perëndia i krijon njerëzit sikurse edhe veprimet e tyre (Sura 37:96).


Kategoria Kurani
Përgjigje Islamit faqja kryesore