Parajsa në kontekstin islamik
Shkruan: Ibrahimi
Parajsa edhe pse koncept i pranueshëm në Bibël dhe Kuran, përshkrimi i saj në këto dy libra dallon dukshëm. Bibla thekson aspektin shpirtëror të këtij realiteti hyjnor si një vendbanim i përjetshëm dhe i përbashkët i Perëndisë me të zgjedhurit e tij, ku Perëndia adhurohet, lavdërohet dhe përjetohet drejtpërsëdrejti, kurse koncepti kuranor është diametralisht i kundërt. Është pothuajse e pamundur të hasësh me vargjet kuranore që përshkruajnë parajsën dhe të mos kuptosh që parajsa është një vend i përmbushjeve fizike dhe sensuale (ndër gjërat kryesore që përmenden si shpërblim për devotshmërinë e besimtarëve janë virgjëreshat, djem të ri, uji, vera, frutat e çdo lloji etj.)
Parajsa islamike përshkruhet në detaje sensuale në Kuran dhe Hadithe. Sura 56:12-39: “Ata pra, janë më të afruarit… janë në shtretër të qëndisur me ar, të mbështetur në to përballë njëri-tjetrit. Atyre u shërbejnë djelmosha të gjithmonshëm, me gastare, me ibrikë dhe me gota të mbushura plot prej burimit, prej së cilës pije (verë) as nuk u dhemb koka as nuk dehen. Edhe pemë sipas dëshirës së tyre, edhe mish shpezësh, cilin ta duan. Dhe hyri (gra) symëdha, si të ishin inxhi të ruajtura, shpërblim për atë që ata punuan… “ Sura 78:31-34: “S’ka dyshime se të devotshmit kanë fitime të mëdha, kopshte e vreshta rrushi, edhe vasha të një moshe, edhe gota të mbushura plot verë”. Në suren 55:54-56 thuhet që aty janë gratë që nuk i ka prekur kush para tyre, as njerëz as xhin.
Përderisa është e vërtetë që Kurani nuk specifikon numrin e të virgjërave që një person do t’i posedoj në parajsë, Hadithet janë më konkrete në këtë aspekt. Numri i tyre ndryshon nga 2 deri në 72 për një mashkull, varësisht nga devotshmëria (Buhariu 4:54: 476; 6:60:402 dhe Al Tirmidhi 2562). Transmetohet nga Al – Tirmidhiu, e më vonë edhe nga Ibn Kathiri në komentimin kuranor të sures 55:72 “që profeti Muhamed është dëgjuar duke thënë se shpërblimi më i vogël për banorët e xhehenetit do të jetë një vendbanim me 80 000 shërbëtorë dhe 72 gra, mbi të cilin gjendet një kube e dekoruar me xhevahirë, diamantë e rubinë, e gjerë sa distanca nga Al-Xhabia (Damask) deri në Sana (Jemen)” . (citati i përkthyer nga anglishtja - The Guardian). Për më tepër hadithet e Buhariut konsiderohen të vërteta (Hadithe sahih) dhe përderisa janë burim i shumë informacioneve të pranuara nga bota islamike, përse të mos shërbejnë edhe në këtë rast.
Në suret 13:35; 3:198; 3:136, 47:15. 44:51-55 hasen referencat ndaj burimeve të bollshme të ujit në parajsë, dhe atë me siguri se, si rezultat i mungesës së ujit të pijshëm në shkretëtirat e Arabisë, burimet e pashtershme të ujit janë konsideruar një komoditet dhe luks. Më habitës është fakti që vera e ndaluar për konsumim në këtë botë do të qarkullojë në lumenj atje (Sura 47:15). Kjo do të jetë një verë kualitative jo intoksikuese që nuk do të sjell dhembje koke e as dehje (Sura 56:19). Kuptohet që edhe vera për banorët e shkretëtirës nuk është veçse një komoditet i çmuar, sepse në të tilla vende rrallë mund të hasen vreshtat e kopshtet. Normalisht që me gjithë virgjëreshat dhe gratë bardhoshe në numër të konsiderueshëm, me burime uji dhe lumenj vere, duke mos harruar edhe hijet nga pemët e mëdha, të gjitha këto begati nuk do të mjaftonin në një stomak të zbrazur. Prandaj, aty janë frutat në dispozicion nga më të ndryshmet dhe mish shpezësh, cilin ta duan besimtarët (S.56:19-20). Janë për t’u përmendur edhe stolitë që do i veshin besimtarët atje si rrathët e artë e me xhevahire, byzylykët e argjendtë, petkat e tyre të mëndafshta (S. 22:23), kolltukët e mbështetëset e gjelbra dhe shtrojat e bukura (S.55:76), zotërim (pronë, pasuri) të madh (S. 76.20). Përshkrime këto fizike dhe materialiste të një pasurie që u ofrohet merituesve të parajsës.
Dhe me gjithë referencat e mëparshme kuranore dhe nga hadithet po ashtu, nuk mund të mos përfundohet që parajsa në kontekstin islamik duket si një përmbushje e dëshirave tokësore, e egove, e kënaqësive sensuale dhe e epsheve të tjera. Duket se parajsa e tillë është një motiv i fuqishëm i nxitjeve ekstremiste dhe të terrorizmit në përgjithësi. Për të dokumentuar këtë si përfundim, ja një thënie e një aktivisti të Hamasit, Muhammed Abu Vardeh, i cili rekrutonte njerëz për bombardimet vetëvrasëse në Izrael, dhënë kanalit televiziv amerikan CBS në vitin 2001: “Unë i përshkruaja atij se si Perëndia do të kompensonte (dëmshpërblente) një martir për sakrifikimin e jetës së tij. Nëse bëhesh martir, Perëndia do t’i japë 70 virgjëresha, 70 gra dhe lumturi të përjetshme...” (The Guardian, gusht 2001).
Shkrime te tjera nga Ibrahimi
Përgjigje Islamit faqja kryesore