NJË KRAHASIM: AGJËRIMI MYSLIMAN – AGJËRIMI KRISHTER
Shkruan: David Johnson
Si është agjërimi mysliman? – është të largohesh nga çdo ushqim, nga uji, duhani, marrëdhëniet seksuale, grindjet dhe bisedat e këqija nga agimi deri në perëndim të diellit gjatë muajit hënor të Ramazanit. Në një intervistë me një hoxhë, ai citoi se agjërimi nuk është vetëm të mbyllësh gojën nga marrja e ushqimit por gjithashtu të mbyllësh gojën nga të folurit keq, sytë nga të shikuarit keq, veshët nga të dëgjuarit keq, mendjen nga të menduarit keq, duart nga të bërit keq dhe këmbët nga të shkuarit keq.
Si është agjërimi i krishterë? – ekzistojnë tre tipa të agjërimit. Agjërimi normal- largimi nga çdo ushqim, por me pirje të ujit (Luk: 4:2 – Jezusi 40 ditë). Agjërimi i plotë – largim prej çdo ushqimi dhe uji, maksimumi tre ditë para se ndonjë dëmtim permanent të paraqitet (Vep. 9:9 – Pali 3 ditë, Ligj. 9:9-18 Mojsiu 40 ditë – Perëndia u kujdes në mënyrë mbinatyrore për të). Agjërimi i pjesërishëm – duke mënjanuar ushqime të caktuara: ëmbëlsirat, mishin etj.
Arsyet për agjërim:
Myslimanët – ka tri arsye themelore për agjërim: 1. Detyrimi – agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit. Është një vepër përkushtimi dhe ndëshkimi dhe është obligim sipas Ligjit Islamik. 2. Adhurimi – është të adhurosh Allahun dhe të kërkosh kënaqësinë e tij. Përsëri, sipas hoxhës është një thënie: “Nuk është agjërim komplet derisa nuk agjëron me tërë qenien tënde.” 3. Përulja – është për të mësuar njeriun me disiplinë shpirtërore dhe morale. Përmes kësaj, ai mund të mësojë, të pushtojë dëshirat fizike, t’i përkulet Allahut dhe të barazohet me ata që vazhdimisht janë të uritur.
Të krishterët – arsyeja kryesore për të agjëruar është bashkësia me Perëndinë. Ne e shikojmë njeriun si qenie tre pjesëshe. Ai është trup (fizik), shpirt (qenie emocionale, e vetëdijshme, e arsyeshme) dhe frymë (që lidhet - bashkohet me Perëndinë). Derisa njeriu nuk rilindet, të bëhet i gjallë shpirtërisht, shpirti i tij urdhëron veprimet e influencuara nga lakmitë e trupit të tij. Agjërimi përul apetitet e trupit dhe egoizmin e shpirtit, duke u mbështetur në kontrollin e shpirtit. Vepron si një peshore. Derisa trupi dhe shpirti janë të shtypur në njërën anë fryma ngrihet në anën tjetër, duke lejuar një komunikim më të pastër me Perëndinë. (Kol. 3:1-3; Jak. 4:6)
Përfitimet e agjërimit:
Myslimanët – përfitimet janë: 1. E përul njeriun para të tjerëve si një qytetar i mirë. 2. E përgatitë njeriun për çdo vështirësi në jetë. 3. I mundëson njeriut të mendojë për nevojat e të tjerëve. 4. I sjell shëndet, “agjëro dhe do të shërohesh” thotë hoxha. 5. I shlyen apo i falë disa mëkate por jo të gjitha. 6. Sjell shpërblime shtesë nga Allahu.
Të krishterët – agjërimi sjell një ndjeshmëri më të madhe ndaj prezencës dhe zërit të Perëndisë për udhëheqje, fitore ndaj mëkatit, një dashuri më të thellë dhe bashkësi me Perëndinë.
Përfundimisht:
Myslimanët – agjërimi është një obligim ndaj Allahut dhe ritual i veprave për shpengim dhe shpërblim. “Agjërimi është për Allahun” theksoi hoxha. Të krishterët – agjërimi është për njeriun dhe jo për Perëndinë. Nuk është një obligim. Jezusi tha që dishepujt e tij do të agjëronin pasi ai të shkonte, jo si deklaratë urdhërimi por më tepër si një deklaratë profetike. (Mat. 9:14-15). Rom. 5:8 “Perëndia e tregoi dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” Ne nuk mund ta zmadhojmë dashurinë e Perëndisë për ne me çfarëdo që ne mund të bëjmë. Perëndia pagoi çmimin më të lartë të mundur për të dëshmuar dashurinë e tij për ne dhe të na sjell në bashkësi me të. Ai na do aq shumë sa kur më tepër. E tëra që mund të bëjmë ne është të jemi falënderues duke e dashur atë dhe duke e përjetuar atë. Nëpërmjet agjërimit, ne përulim mishin dhe shpirtin tonë që të mund të përjetojmë një bashkësi më të madhe shpirtërore me Perëndinë. Agjërimi nuk është një “makinë shitëse”- fut para brenda dhe merr shpërblimin, fut brenda agjërimin dhe merr shpërblimin. Është për njeriun që agjëron që duhet të jetë i ndjeshëm shpirtërisht – jo për Perëndinë. Mundësitë e Perëndisë për të komunikuar me ne janë të përsosura; ne jemi ata që duhet t’i përmirësojmë aftësitë tona për të komunikuar me të. Prandaj si të krishterë, ne duhet rregullisht të agjërojmë për rritje shpirtërore. Sidoqoftë, pozita krishtere në agjërim duhet të jetë e qartë; legalizmi nuk është gjë biblike. Agjërimi nuk është të fitosh drejtësi por më tepër të krijosh një përmallim më të madh, një uri për Perëndinë dhe ndjeshmëri ndaj Perëndisë.
Përktheu: Luka